Rreziku i vendosjes së masave të kursimit për karburantet në Evropë po bëhet gjithnjë e më konkret, një skenar që ishte parashikuar edhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë me planin e saj të publikuar më 21 mars.
Më 31 mars, komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, iu drejtua ministrave të Energjisë të vendeve të Bashkimit Evropian, të mbledhur në një videokonferencë për një këshill informal lidhur me vazhdimin e luftës në Lindjen e Mesme.
“Nga njëra anë, siguria e furnizimeve të Bashkimit Evropian mbetet e garantuar, por duhet të jemi të përgatitur për një ndërprerje të mundshme të zgjatur të tregtisë ndërkombëtare të energjisë”, shkroi ai në një letër drejtuar 27 ministrave.
Jørgensen i ftoi shtetet anëtare të marrin në konsideratë një sërë masash për të garantuar furnizimin me naftë dhe produkte të rafinuara, në koordinim të ngushtë me Komisionin Evropian, grupin e koordinimit të naftës dhe Task Forcën e Unionit të Energjisë.
Në të njëjtën kohë, ai kërkoi të shqyrtohen masa kursimi në anën e kërkesës, veçanërisht në sektorin e transportit. Në letrën, e cituar nga “Politico”, Brukseli sugjeron që qeveritë të vlerësojnë masa vullnetare për të kufizuar përdorimin e automjeteve private dhe fluturimet ajrore jo të domosdoshme.
“Edhe nëse paqja rikthehet nesër, nuk do të kthehemi në normalitet në të ardhmen e afërt”, thuhet në letër.
Jørgensen u bëri thirrje vendeve anëtare të ndjekin rekomandimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, të cilat përfshijnë punën nga shtëpia kur është e mundur, uljen e kufijve të shpejtësisë në autostrada me 10 km/orë, promovimin e transportit publik, përdorimin e alternuar të automjeteve private, rritjen e car sharing dhe praktika më efikase të drejtimit.

