Lajme

Kryeson diskriminimi etnik! Edhe në 2025 shteti ka bërë dallime ndaj punonjësve

Numri më i madh i rasteve të konstatuara të diskriminimit në vitin 2025 është në sektorin publik, përkatësisht 70%, ndërsa diskriminues janë vetë institucionet, drejtuesit dhe punonjësit e tyre. Rastet më të shumta janë në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës, e më pas vijnë arsimi, shkenca dhe sporti, qasja në të mira dhe shërbime, si dhe fusha e sigurisë sociale

Shkup, 25 mars – Raporti i ri për vitin 2025 i Komisionit për Mbrojtje dhe Parandalim nga Diskriminimi (KMPD), ashtu si edhe vitin e kaluar, tregon se diskriminimi është “i rrënjosur” në sektorin publik. Diskriminues kryesorë janë organet shtetërore, komunat dhe institucionet arsimore, shkruan gazeta KOHA.

Në dallim nga kjo, në sektorin privat janë evidentuar 10 raste ose 18 për qind nga gjithsej opinionet e miratuara nga KMPD, ndërsa në media dhe rrjetet sociale – shtatë raste.

Sa i përket bazave të diskriminimit, në krye është përkatësia kombëtare ose etnike (29%). Në vitin 2025 diskriminimi është paraqitur edhe mbi bazë të gjinisë (16%), aftësisë së kufizuar (14%), karakteristikave personale dhe statusit shoqëror (14%), identitetit gjinor (13%) dhe bindjes politike (13%).

Nga aspekti i llojit, më e pranishmja është diskriminimi i drejtpërdrejtë, i konstatuar në 55 për qind të rasteve të përgjithshme të KMPD. Po ashtu janë regjistruar edhe 12 raste të diskriminimit indirekt (21%), tetë raste të ngacmimit (14%), dy raste të nxitjes, thirrjes dhe udhëzimit për diskriminim, po aq raste të ngacmimit seksual dhe një rast i segregimit.

Ndryshe, KMPD vitin e kaluar ka trajtuar gjithsej 559 lëndë për mbrojtje nga diskriminimi, prej të cilave 448 të reja, të hapura në vitin 2025 dhe 111 të bartura nga viti paraprak 2024. Nga rastet e reja, 444 janë ankesa të paraqitura nga qytetarë dhe organizata, ndërsa katër janë procedura të nisura nga vetë KMPD me iniciativë zyrtare.

3sgIgLJ.png