Lajme

Nga dorëzimi i 450 kg uranium te Hormuzi, çfarë përfshin plani 15-pikësh i SHBA ndaj Iranit?

15 pika për të ndalur krizën: çfarë kërkon Uashingtoni dhe çfarë i ofron Teheranit

Pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump për përparim në negociatat me Iranin, janë bërë publike detaje mbi një plan të mundshëm marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Administrata amerikane ka formuluar gjithsej 15 kushte për Iranin si bazë për t’i dhënë fund luftës. Sipas raportit, kushtet duket se mbulojnë të gjitha qëllimet strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ashtu siç janë formësuar në kontekstin e konfliktit.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, në Jeruzalem ka shqetësim se administrata Trump po synon një marrëveshje të shpejtë “në parim”, pa vendosur si kusht përfundimtar zbatimin e plotë të kërkesave ndaj Iranit përpara ndalimit të armiqësive.

Burime të njohura me diskutimet bëjnë të ditur se bashkëpunëtorë të afërt të Trump, përfshirë Jared Kushner dhe Steve Ëitkoff, kanë propozuar një proces që parashikon një armëpushim njëmujor. Gjatë kësaj periudhe, palët do të negociojnë një marrëveshje të detajuar me 15 pika, sipas një modeli të përdorur më herët në marrëveshje të ndërmjetësuara nga SHBA në Gaza dhe Liban.

Vetë Trump deklaroi një ditë më parë se është arritur “konvergjencë e rëndësishme” në disa çështje kyçe të një marrëveshjeje të mundshme, duke konfirmuar se kontaktet indirekte me Iranin janë në zhvillim.

Megjithatë, perspektiva e një marrëveshjeje të shpejtë dhe jo të detajuar ka ngritur shqetësime në nivelet politike dhe ushtarake izraelite. Sipas të njëjtave burime, ekziston rreziku që Irani të përfitojë nga një ndalim i parakohshëm i konfliktit, përpara se të përcaktohen qartë të gjitha kushtet.

Drafti i propozuar përfshin një sërë kërkesash të detajuara ndaj Iranit. Në planin bërthamor, Teherani duhet të çmontojë kapacitetet ekzistuese, të ndalojë përfundimisht çdo përpjekje për armë bërthamore dhe të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit në territorin e tij. Po ashtu, parashikohet dorëzimi i rezervave të uraniumit të pasuruar dhe çmontimi i objekteve kryesore bërthamore si Natanz, Isfahan dhe Fordo, nën mbikëqyrjen e plotë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Në planin rajonal dhe ushtarak, kërkohet që Irani të heqë dorë nga mbështetja për aleatët e tij në rajon, të ndalojë financimin dhe armatosjen e tyre, si dhe të kufizojë programin e tij raketor. Gjithashtu, parashikohet që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur për lundrim ndërkombëtar.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar do të ofronin heqjen e plotë të sanksioneve ndaj Iranit, mbështetje për zhvillimin e programit civil bërthamor dhe eliminimin e mekanizmit “snapback”, që lejon rikthimin automatik të sanksioneve.

Pikat e marrëveshjes

-Irani duhet të çmontojë kapacitetet ekzistuese bërthamore.

-Irani duhet të angazhohet që nuk do të kërkojë kurrë të zotërojë armë bërthamore.

-Nuk do të lejohet pasurimi i uraniumit në territorin iranian.

-Irani duhet të dorëzojë rezervën prej rreth 450 kg uranium të pasuruar në 60% pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), sipas një afati të dakordësuar.

-Objektet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordo duhet të çmontohen.

-IAEA duhet të ketë akses të plotë, transparencë dhe kapacitet mbikëqyrës brenda Iranit.

-Irani duhet të heqë dorë nga modeli i “forcave përfaqësuese” në rajon.

-Irani duhet të ndalojë financimin, drejtimin dhe armatosjen e aleatëve të tij rajonalë.

-Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur dhe të funksionojë si korridor i lirë detar.

-Programi raketor i Iranit duhet të kufizohet si në rreze veprimi ashtu edhe në numër, me kufij që do të përcaktohen më vonë.

-Çdo përdorim i ardhshëm i raketave duhet të lejohet vetëm për qëllime vetëmbrojtjeje.

-Heqje e plotë e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit.

-SHBA do të ndihmojë Iranin në zhvillimin e programit civil bërthamor, përfshirë prodhimin e energjisë në centralin e Bushehr-it.

-Mekanizmi “snapback”, që lejon rikthimin automatik të sanksioneve, do të hiqet.

(Një pikë e 15-të përmendet në raportime, por nuk është bërë publike.)

3sgIgLJ.png