Shkruar nga Gokcay Balci & Ebru Surucu-Balci
Nga ngushtica e Hormuzit deri në Malaka, tregtia globale mbështetet pothuajse tërësisht te këto 5 rrugë ujore të ngushta. Rreth 24 ngushticat dhe kanalet që lidhin në total kontinentet, janë nyje nevralgjike, ku çdo krizë, aksident apo konflikt mund të paralizojë furnizimet globale.
Konflikti në Iran, i ka tronditur tregjet e energjisë dhe mallrave. Irani ka mbyllur praktikisht Ngushticën e Hormuzit – një pikë jetike për tranzitin e naftës – duke sulmuar gjatë dy javëve të fundit mbi një duzinë anijesh që kanë tentuar të kalojnë aty.
Donald Trump u ka bërë presion aleatëve europianë të SHBA-së që të ndihmojnë në sigurimin e ngushticës, duke paralajmëruar se do të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s” nëse ata nuk mbështesin përpjekjet amerikane për ta rihapur Hormuzin.
Por Irani ka premtuar ta mbajë të mbyllur. Ndërprerja e transportit në Gjirin Persik ka bërë që çmimet e naftës të rriten ndjeshëm – nga rreth 70 dollarë për fuçi para krizës, në mbi 100 dollarë. Po ashtu po ndikohet tregtia globale e shumë mallrave të tjera, nga produktet e konsumit te lëndët e para bujqësore.
Kriza ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë: tregtia botërore varet nga një numër i vogël rrugësh ujore të ngushta, shpeshherë të quajtura “pika bllokimi” detare. Ja cilat janë më të rëndësishmet dhe sa të cenueshme janë ndaj ndërprerjeve:
1. Ngushtica e Hormuzit
Hormuzi është vendkalimi më i rëndësishëm në botë. Ai lidh Gjirin Persik me Detin Arabik dhe mbart rreth 39 për qind të tregtisë së naftës së papërpunuar dhe 19 për qind të gazit natyror.
Në dallim nga shumica e pikave të tjera, nuk ka një alternativë të vlefshme për eksportet e energjisë nga shtetet e Gjirit. Irani ka kërcënuar herë pas here ta mbyllë ngushticën që nga vitet 1980, por ndërprerjet e fundit janë më seriozet në dekada, duke shkaktuar tronditjen më të madhe të furnizimit me naftë në histori dhe një rritje të fortë të çmimeve globale.
Dhe pasojat shtrihen përtej energjisë. Rajoni i Gjirit përpunon mbi 26 milionë kontejnerë çdo vit dhe eksporton sasi të mëdha plehrash kimike, çka ndikon drejtpërdrejt në kostot e prodhimit të ushqimit global.
2. Kanali i Suezit
Ky kanal lidh Detin e Kuq me Mesdheun, duke shkurtuar të paktën 10 ditë udhëtim mes Azisë dhe Europës. Përpunon 10 për qind të tregtisë detare globale, përfshirë 22 dy për qind të trafikut me kontejnerë, 20 për qind të transportit të makinave dhe 10 për qind të naftës së papërpunuar.
Edhe pse kontrollohet nga Egjipti dhe nuk kërcënohet lehtë, nuk është imun ndaj aksidenteve, siç e tregoi bllokimi 6-ditor nga anija “Ever Given” në vitin 2021, me një kosto rreth 10 miliardë dollarë.
Pika më e brishtë është Bab El-Mandebi, në jug të Detit të Kuq, ku sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare (2023-2025) detyruan shumë operatorë të devijonin rrugët përreth Afrikës, duke përgjysmuar trafikun në Suez.
3. Kanali i Panamasë
Ky kanal e lidh Oqeanin Paqësor me Atlantikun dhe përpunon rreth 2 për qind të tregtisë detare globale – kryesisht mallra me vlerë të lartë si kontejnerë, makina dhe drithëra. Rreth 47 për qind e ngarkesave të kontejnerizuara të SHBA kalojnë këtu, me një vlerë 270 miliardë dollarë në vit.
Pikat e dobëta lidhen me klimën dhe politikën. Thatësirat e viteve 2023-2024, ulën ndjeshëm nivelet e ujit, duke kufizuar numrin dhe madhësinë e anijeve. Në fillim të vitit 2025, Trump kërcënoi të marrë kontrollin e kanalit, duke përmendur shqetësime për menaxhimin e disa porteve nga një kompani me bazë në Hong Kong.
4. Ngushtica e Malakës
Rruga më e ngarkuar detare në botë. Përpunon 24 për qind të tregtisë globale, përfshirë 45 për qind të naftës së papërpunuar dhe 26 për qind të makinave. Këtu ndodhet Singapori, me portin e dytë më të madh të kontejnerëve në botë.
Malaka është porta kryesore për importet e energjisë të Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut. Gati 80 për qind e naftës së importuar nga Kina kalon këtu – varësi që Pekini e quan “dilema e Malakës”. Pirateria mbetet problem, me mbi 130 incidente të raportuara vetëm në vitin 2025.
Por rreziku më i madh është gjeopolitik. çdo përshkallëzim mes Kinës dhe SHBA-së ose Indisë për dominimin detar mund të ndërpresë kalimin. Po ashtu, ngushtica është e ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore si cunamet dhe aktiviteti vullkanik.
5. Ngushticat Turke
Bosfori dhe Dardanelet, janë e vetmja rrugë detare mes Detit të Zi dhe Mesdheut. Ato përpunojnë 3 për qind të tregtisë globale, përfshirë 23 për qind të eksporteve botërore të grurit nga Ukraina, Rusia dhe Rumania.
Me një gjerësi vetëm 700 metra në pikën më të ngushtë, lundrimi atje është i vështirë dhe përplasjet e vogla janë të zakonshme. Sipas Konventës së Montrosë, Turqia kontrollon hyrjen e anijeve ushtarake, gjë që e ka përdorur për të kufizuar lëvizjen e anijeve luftarake pas pushtimit rus të Ukrainës, duke mbajtur të hapur trafikun tregtar.
Çdo përshkallëzim i mëtejshëm në rajonin e Detit të Zi mund të tronditë tregjet globale të grurit. Aktiviteti i lartë sizmik në zonë, shton një rrezik tjetër.
Kriza aktuale në Ngushticën e Hormuzit ka nxjerrë në pah sa e brishtë është tregtia globale, e cila varet nga një numër i vogël rrugësh ujore të ngushta. Por këto 5 që përmendëm me lart nuk janë të vetmet vendkalime kyçe.
Në botë ka rreth 24 të tilla, përfshirë ngushticat e Tajvanit, Doverit dhe Beringut – secila e ekspozuar ndaj kombinimit të vet të tensioneve gjeopolitike, ndryshimeve klimatike, piraterisë, aksidenteve apo fatkeqësive natyrore.

