E themeluar në 2020 nga Shayne Coplan, Polymarket funksionon mbi blockchain dhe përdor stablecoin të lidhura me dollarin. Financuar edhe nga Peter Thiel dhe Donald Trump Jr., kompania ka mbledhur mbi 70 milionë dollarë dhe vlera e saj mund të arrijë 12-15 miliardë
Korrespondenti ushtarak i Times of Israel, Emanuel Fabian, nuk e kishte menduar kurrë se do të rrezikonte jetën për një çështje bastesh. Por kjo i ndodhi javën e kaluar. Më 10 mars, një shpërthim i fuqishëm tronditi qytetin Beit Shemesh, pranë Jerusalemit, pas një sulmi balistik iranian. Fatmirësisht, raketa goditi një zonë pyjore rreth 500 metra larg banesave dhe nuk pati të plagosur. Fabian raportoi për ngjarjen, duke cituar shpëtimtarët dhe duke publikuar pamje të shpërthimit.
Pak orë më vonë, ai mori një email të pazakontë nga një person i quajtur Aviv, që kërkonte të ndryshonte raportimin, duke theksuar se shpërthimi kishte ardhur nga një fragment i raketës që ishte interceptuar. Mesazhet u bënë të përsëritura dhe kërcënuese: “Do të përballesh me pasojat për aktin tënd të pakujdesshëm”. Duke lidhur ngjarjet, Fabian kuptoi se ishte përfshirë në një konflikt që lidhej me Polymarket, platformën e parashikimeve ku mund të vendosësh baste mbi çdo ngjarje, nga sporti dhe politika, deri te lufta. E themeluar në 2020 nga Shayne Coplan, Polymarket funksionon mbi blockchain dhe përdor stablecoin të lidhura me dollarin. Financuar edhe nga Peter Thiel dhe Donald Trump Jr., kompania ka mbledhur mbi 70 milionë dollarë dhe vlera e saj mund të arrijë 12-15 miliardë.
Polymarket u bë e njohur sidomos gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2024 dhe përfiton nga paqëndrueshmëria globale. Një përdorues anonim fitoi 400.000 dollarë duke bastuar mbi rrëzimin e Nicolás Maduro pak para arrestimit të tij nga SHBA-të. Në raste të tjera, s’dihet nëse fituesit kanë pasur informacion të brendshëm, përfshirë edhe lidhje me administratën Trump. Një llogari me emrin “Magamyman” fitoi mbi 553,000 dollarë duke bastuar për vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, pak para një sulmi izraelit.
Këto lloje transaksionesh kanë shqetësuar Kongresin amerikan dhe kritikët e tregjeve të parashikimeve. Senator Chris Murphy, demokrat nga Connecticut, ka shkruar se është “absurde që kjo të jetë ligjore” dhe po planifikon një ligj për të ndaluar këtë aktivitet, ndërsa administrata Trump kishte mbyllur dy hetime federale mbi Polymarket.
Ligjet amerikane ndalojnë fitimet financiare që burojnë nga vdekja dhe lufta, për shkak të dhunës, vuajtjes njerëzore dhe paqëndrueshmërisë. Rasti i ngjashëm me platformën Kalshi tregon se bastet mbi vdekjen e Khamenei grumbulluan mbi 54 milionë dollarë, por kompania nuk i pagoi për të analizuar më tej situatën. Fabian tregon se pas kërcënimeve ka shkuar në polici dhe nuk ka ndryshuar artikullin e tij. Por pyetja mbetet: Kush do të jetë i kërcënuari i radhës për një interes financiar? Ky skenar tregon rrezikun ku gazetaria, bixhozi dhe krimi bashkohen, ndërsa e vërteta mbetet viktimë e parë.

