Lajme

Trump gati të ndërhyjë ushtarakisht në Iran? Anija amerikane me mijëra trupa në bord drejt Lindjes së Mesme

Anija po transporton trupa nga Njësia Ekspeditare e 31-të e Marinës (31st MEU), një forcë reagimi të shpejtë prej rreth 2,200 personash, e vendosur në Okinawa të Japonisë...

Një anije luftarake e Marinës së SHBA-së, që besohet se transporton mijëra marinsa dhe marinarë drejt Lindjes së Mesme, po afrohet në Ngushticën e Malakës pranë Singaporit, sipas të dhënave të gjurmimit detar.

Anija amfibe sulmuese USS Tripoli u identifikua pranë Singaporit, në skajin jugperëndimor të Detit të Kinës Jugore, sipas të dhënave AIS të analizuara nga CNN. Aktivizimi i këtyre sinjaleve në zona me trafik të dendur detar konsiderohet praktikë standarde për sigurinë e lundrimit.

Sipas tre zyrtarëve të njohur me planet, anija po transporton trupa nga Njësia Ekspeditare e 31-të e Marinës (31st MEU), një forcë reagimi të shpejtë prej rreth 2,200 personash, e vendosur në Okinawa të Japonisë. Pentagoni ka urdhëruar dislokimin e kësaj njësie drejt Lindjes së Mesme, pa dhënë detaje për destinacionin apo misionin e saktë.

Një njësi MEU përbëhet nga katër komponentë kryesorë: komandë, forca tokësore, komponent ajror dhe mbështetje logjistike. Këto njësi përdoren zakonisht për operacione evakuimi, ndërhyrje amfibe dhe misione të shpejta ushtarake që kërkojnë dislokim nga deti në tokë.

USS Tripoli, me gjatësi rreth 260 metra dhe zhvendosje prej 45 mijë tonësh, funksionon si një aeroplanmbajtëse e vogël. Ajo mund të transportojë avionë luftarakë F-35, helikopterë dhe mjete zbarkimi për operacione në terren.

Të dhënat e marinetraffic.com tregojnë se një anije luftarake amerikane u nis nga Okinawa më 11 mars dhe kaloi përmes Detit të Kinës Jugore, duke iu afruar Singaporit me një shpejtësi rreth 35 km/h.

USS Tripoli është zakonisht pjesë e një grupi amfib të gatishmërisë, i cili përfshin edhe anije të tjera mbështetëse, megjithëse prania e tyre nuk është konfirmuar në të dhënat e fundit të gjurmimit.

Dislokimi i kësaj force vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, duke sinjalizuar një rritje të gatishmërisë ushtarake amerikane në rajon.

3sgIgLJ.png