Lajme

IEA liron 412 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike për të frenuar rritjen e çmimeve

Në një nga ndërhyrjet më të mëdha në historinë e saj, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka vendosur të aktivizojë menjëherë rezervat strategjike të naftës për të stabilizuar tregjet globale të energjisë, të tronditura nga lufta në Lindjen e Mesme.

Organizata njoftoi se vendet anëtare në Azi dhe Oqeani do të hedhin menjëherë në treg rezervat e tyre strategjike, ndërsa rezervat nga Amerika dhe Evropa pritet të fillojnë të dalin në treg nga fundi i marsit.

Vendimi u mor njëzëri nga 32 vendet anëtare të IEA-së dhe përbën ndërhyrjen më të madhe që nga krijimi i organizatës rreth pesë dekada më parë.

Në total, vendet anëtare janë angazhuar të lëshojnë në treg rreth 412 milionë fuçi naftë, nga të cilat 72% janë naftë bruto, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga produkte të rafinuara.

Kjo sasi është më shumë se dyfishi i 182,7 milionë fuçive që IEA lëshoi në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës.

Organizata theksoi se kjo “aksion emergjent kolektiv, më i madhi i kryer ndonjëherë”, synon të krijojë një rezervë të rëndësishme për tregjet globale dhe të zbusë presionin mbi çmimet e energjisë.

Presion i madh në tregjet energjetike
Vendimi vjen në një moment tensioni të lartë në tregjet globale të energjisë. Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë, është mbyllur për anijet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi të dielën se kjo politikë do të vazhdojë për sa kohë që sulmet ndaj Iranit vazhdojnë.

Nga ana tjetër, ministri amerikan i Energjisë Chris Wright pranoi në një intervistë për NBC se kalimi përmes ngushticës aktualisht nuk është i sigurt dhe se amerikanët mund të ndiejnë efektet e krizës energjetike për disa javë.

Megjithatë, ai parashikoi se çmimet e benzinës mund të fillojnë të bien sapo konflikti të përfundojë.

Pasoja për industrinë
Ndikimi i krizës tashmë po ndihet edhe në sektorë të tjerë industrialë. Kompania Aluminium Bahrain, rafineria më e madhe e aluminit në botë jashtë Kinës, njoftoi se do të ulë gradualisht gati një të pestën e kapacitetit të saj prodhues, pasi eksportet e saj mbeten të bllokuara nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.

Bahreini, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës së SHBA-së, është një nga vendet që është prekur më shumë nga sulmet iraniane që nga fillimi i konfliktit.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në OKB Mike Waltz deklaroi për CNN se presidenti Donald Trump nuk përjashton asnjë opsion, përfshirë edhe mundësinë e një sulmi ndaj infrastrukturës së naftës në ishullin Kharg, ku përpunohet rreth 90% e eksporteve të naftës bruto të Iranit.

3sgIgLJ.png