Në puntatën e kësaj jave në emisionin Health O’Clock në Euronews, mjekja obstetër-gjinekologe Kozeta Mustafaraj foli për sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST), duke dhënë këshilla praktike për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e tyre.
Sipas doktoreshës Mustafaraj, SST-të shkaktohen nga infeksione që transmetohen kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale, por disa mund të përhapen edhe përmes gjakut, transfuzionit, përdorimit të shiringave të ndotura ose nga nëna tek fëmija.
“Infeksionet më të shpeshta që hasen në praktikën klinike në Tiranë janë trikomonas, human papilloma virus (HPV) dhe herpes simplex, ndërsa më pak të shpeshta janë klamidia, gonoreja dhe sifilizi,” tha ajo, duke theksuar se grupmosha më e prekur është ajo e të rinjve seksualisht aktivë, nga 18 deri në 30 vjeç.
Doktoresha shpjegoi se SST-të mund të kalojnë pa shenja të dukshme për një kohë, duke rritur rrezikun e komplikacioneve. Për shembull, klamidia e patrajtuar mund të çojë në bllokim të tubave tek femrat, duke shkaktuar infertilitet, ndërsa sifilizi mund të ketë pasoja të rënda për të sapolindurit. Po ashtu, infeksionet virale si HPV dhe herpes simplex mund të shkaktojnë probleme kronike dhe, në disa raste, forma kancerogjene të organeve gjenitale ose faringut.
Sa i përket parandalimit, Mustafaraj rekomandoi përdorimin e prezervativëve dhe kufizimin e numrit të partnerëve seksualë. Vaksinimi kundër HPV është gjithashtu i domosdoshëm dhe duhet kryer në moshat 12–14 vjeç për të parandaluar infeksionet virale dhe pasojat e tyre të mundshme.
Mjekja theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta gjinekologjike, sidomos pas marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, për të shmangur përhapjen e infeksioneve dhe trajtimin e tyre në kohë.
“Një SST mund të transmetohet me një marrëdhënie të vetme të pambrojtur,” tha ajo, duke bërë apel për përgjegjësi dhe transparencë ndaj partnerëve dhe mjekëve.
Në fund, doktoresha dhuroi një mesazh të qartë për qytetarët.
“Respekti për vetveten dhe partnerin, përdorimi i masave mbrojtëse dhe monitorimi i shëndetit seksual janë çelësi për një jetë të shëndetshme dhe pa infeksione seksualisht të transmetueshme”, tha ajo.

