Nga Erjona Ismaili dhe Ferit Hoxha, te Ermal Nufi dhe Enea Karakaçi
Kryeministri Edi Rama ka kapur në befasi socialistët ditën e sotme në mbledhje grupi, pasi ka vendosur të bëjë 7 ndryshime në qeveri. Rama ka larguar nga postet Belinda Ballukun, Pirro Vengun dhe Elisa Spiropalin, teksa Lamallarin e dërgoi te Ministria e Brendshme, Toni Gogun te Drejtësia, ndërsa zv/kryeministre u bë Albana Koçiu.
Ndërkohë në qeveri janë afruar 4 emra të rinj:
Erjona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin. Ajo është deputete e PS në Vlorë e zgjedhur një vit më parë. Ajo ka lindur më 26 mars 1990 në Sarandë. Ismaili ka studiuar për drejtësi. Në vitet e fundit ka shërbyer si Koordinatore Rajonale në projektin zviceran “Bashki të Forta”.

Erjona Ismaili
Ferit Hoxha do të zëvendësojë Elisa Spiropalin në postin e Ministres së Jashtme. Hoxha lindi më 22 shkurt në qytetin e Shkodrës. Ai u diplomua në vitin 1988 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja; Gjuhë dhe Kulturë Frënge, Universiteti i Tiranës, Shqipëri. Ai gjithashtu është diplomuar edhe në Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael”, Hagë. Eksperiencën e parë si diplomat ai e nisi në vitin 1991, në Ministrinë e Jashtme. Më pas, në vitin 1998, emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, shef i Misionit të RSH-së pranë Bashkimit Evropian, Bruksel, post të cilin e mban deri në vitin 2001.

Ferit Hoxha
Më pas, në vitet 2001-2006, emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së pranë Republikës Franceze, Paris, dhe në vitet 2003-2006 ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën Portugeze, me rezidencë në Paris. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 është sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2009 emërohet ambasador i Shqipërisë në OKB, por është gjithashtu i akredituar si ambasador edhe për Kubën.
Enea Karakaçi do të zëvendësojë Belinda Ballukun në postin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës. Z. Karakaçi u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 2009 dhe kreu Masterin për Drejtësi në Universitetin e Amsterdamit në 2010-n, për Ligjin e Bashkimit Europian.

Enea Karakaçi
Ai aktualisht është administrator i kompanisë OSHEE Group. Më përpara ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në këtë pozicion ai kishte për detyrë zhvillimin e politikave dhe strategjive për energjinë në përgjithësi, energjinë e rinovueshme, naftën dhe gazin, mineralet dhe eficiencën energjetike në Shqipëri.
Më parë ai ka qenë në Entin Rregullator të Energjisë. Më vonë u punësua në Ministrinë e Energjitikës, ku dhe mbajti poste të ndryshme.
Ermal Nufi u emërua ministër i Mbrojtjes, duke zëvendësuar Pirro Vengun. Aktualisht ai mban pozicionin e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Ai ka përfunduar studimet e nivelit “Master” në drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 2010.

Ermal Nufi
Nga viti 2021 z. Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, ai është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryeson Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor.
