Lajme

Rikonstruimi i kabinetit qeveritar pritet në qershor, Fillkov e Limani emrat më të përfolur

Përplasjet e fundit politike rreth pozicionit të kuadrove të partive politike në Qeveri, kanë rikthyer reflektorët nga tema e nevojës për rikonstruim.

Çështja, është hapur që vitin e kaluar, megjithatë përveç lëvizjeve të imponuara nga rezultati i zgjedhjeve lokale, figurat e ekzekutivit nuk kanë lëvizur.

Pritjet janë që të ndodh në maj ose qershor, pikërisht në mes të mandatit qeveritar, pasi VMRO-DPMNE-ja si parti udhëheqëse të mbarojë me procesin e reformave kadrovike brenda partisë.

“Në muajin maj, më së voni në qershor të kemi edhe rikonstruim të një pjese të resorëve në kuadër të kabinetit qeveritar, ndoshta edhe të disa institucioneve. Fare deri tani nuk është bërë analizë e tillë, por në periudhën e ardhshme do të bëhet”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE.

Kreu i ekzekutivit është shprehur i rezervuar për të treguar se kujt mund t’i lëvizet kolltuku, ndonëse në opinion në vazhdimësi janë përfolur shumë emra. Më i spikaturi ka qenë ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, për shkak pakënaqësisë me reformat në gjyqësor. Për këtë arsye ndodhi edhe përplasja publike me Antonio Milloshoskin. Së fundmi, Fillkov u bë temë debati edhe për rezistencën e tij për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke u kapur edhe me krerët e VLEN-it.

Lëvizje janë përfolur edhe në Arsim e Shëndetësi, ndërkohë që në kampin shqiptar, molla e ndaluar është bërë Fatmir Limani. Kreu i BESA-s ia ka “vënë” syrin për ta hequr nga ekzekutivi, pasi përflitet se më shumë punon për Mickoskin sesa partinë e vet. Kjo çoi edhe në përplasje publike edhe me kryeministrin, i cili kujtoi se për lëvizjet në qeveri, është ai mandatari. Emra tjerë që përfliten se mund të lëvizin pozicionet janë ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, por edhe ai i Administratës Goran Minçev. Nuk përjashtohet edhe ndërrimi i resorëve, por edhe kjo mbetet të shihet./ Alsat.mk

3sgIgLJ.png