Lajme

Tetë Fuqitë e Mëdha aktuale që do diktojnë zhvillimet për dekadat e ardhshme

Shkruar nga Robert Farley

“Sfera e ndikimit” është rikthyer si një ide përcaktuese e kohës sonë, por historia e vërtetë është më e madhe se sa një trekëndësh SHBA-Kinë-Rusi. Tetë fuqi të mëdha do të formësojnë politikën ndërkombëtare për vitet që vijnë…

Fraza e vitit që shkoi në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë “sfera e ndikimit”. E nxitur nga dëshira për të ridrejtuar energjinë amerikane në Hemisferën Perëndimore, strategjia e re e sigurisë së SHBA-së, thekson se vendi duhet të jetë dominues në fqinjësinë e tij, duke nënkuptuar se fuqitë e tjera, si Rusia dhe Kina, meritojnë një shkallë respekti në zonat e tyre. Megjithatë, ato nuk janë të vetmet lojtare. Ndërsa hyjmë në çerekun e dytë të shekullit XXI-të, ja cila është lista me 8 fuqitë që do të përcaktojnë rrjedhën e politikës ndërkombëtare.

India

India ka pasur një rrugë të gjatë drejt famës globale. Madhësia e popullsisë e bëri atë një lojtare të rëndësishme që pas pavarësisë, edhe pse sistemi ekonomik sklerotik dhe fqinjësia problematike krijuan kufizime për Nju Delhin.

India udhëhoqi ndjenjat anti-koloniale dhe promovoi alternativa institucionale ndaj parimeve sovjetike dhe perëndimore. Tani, momenti duket se i përket asaj. Programi i saj i armëve bërthamore është nga më të përparuarit. Ajo e kaloi Kinën për nga popullsia në vitin 2023 dhe nuk vuan nga problemet demografike që prekin vendet e tjera.

Nju Delhi ka luajtur me kujdes gjatë luftës Rusi-Ukrainë, duke mbajtur marrëdhënie të mira me të dyja palët, si dhe me SHBA-në. Diplomacia e kujdesshme ka ulur tensionet edhe me Kinën. E ardhmja teknologjike duket premtuese, me një grup të madh punëtorësh të mirë- arsimuar. Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë i ka tensionuar marrëdhëniet me SHBA-në, por India mbetet në një pozicion të fortë.

Japonia

Për dekada, pozicioni i Japonisë ka qenë i diskutueshëm për shkak të profilit të ulët në fushën e mbrojtjes që pas Luftës së Dytë Botërore. Lufta e Ftohtë solli zgjerimin e fuqisë së saj ekonomike nën patronazhin e aleancës me SHBA-në. Kompanitë japoneze arritën majat e teknologjisë dhe e transformuan tregtinë globale.

Kufizimet ushtarake e kanë kufizuar ndikimin e saj strategjik, por kjo qasje po ndryshon. Edhe pse Japonia përballet me sfida demografike dhe një sistem financiar të vjetruar, ajo mbetet jashtëzakonisht e pasur dhe në krye të teknologjive jetike. Ekonomia e katërt më e madhe në botë, është e aftë të mirëmbajë një ushtri të klasit botëror dhe Tokio po lëviz vendosmërisht në atë drejtim.

Brazili

Brazili është quajtur shpesh “vendi i së ardhmes”. Me një popullsi të madhe, burime të pasura dhe pozicion të fortë në Amerikën e Jugut, ai duhet të gëzojë ndikim global. Por po përballet me pengesa si pabarazia e madhe dhe një ekonomi industriale e paqëndrueshme. Brazili ka qëndruar gjatë në hijen e SHBA-së. Por ky vend ka disa avantazhe: industria hapësinore është konkurruese dhe profili ushtarak në rritje. Sistemi politik ka përballuar sfida të brendshme por mbetet i qëndrueshëm.

Sfida më e madhe do të jetë pasiguria që rrethon politikën e jashtme të SHBA-së, por me lidership të fortë, Brazili është i pozicionuar mirë për pjesën tjetër të këtij shekulli.

Arabia Saudite

Pozicioni i Riadit është varur historikisht nga kontrolli i çmimeve të naftës dhe marrëdhëniet me Perëndimin. Sot, Shtëpia e Saudëve ushtron ndikim të madh mbi naftën, mallin më të rëndësishëm sot në botë. Kjo i jep ndikim mbi politikën globale dhe mundëson zbatimin e projekteve të mëdha.

Edhe pse fuqia financiare nuk është përkthyer gjithmonë në avantazh ushtarak, Riadi po krijon një ushtri moderne dhe teknologjike. Përvoja në Jemen ishte e vështirë, por tani gëzon marrëdhënie më të mira me fqinjët. Me një rritje të shpejtë të popullsisë dhe synime për modernizim ekonomik e potencialisht armë bërthamore, Arabia Saudite mbetet çelësi për ndikimin rajonal dhe global.

Kina

Kina e ka rifituar vendin e saj midis fuqive të para. Rritja ekonomike vazhdon të ndjekë ritmin e botës së industrializuar, dhe ajo ka mbyllur boshllëqet ushtarake me SHBA-në. Arsenali bërthamor kinez po rritet me një ritëm marramendës. Megjithatë, jo gjithçka është  përsosur.

Presidenti Xi Jinping ka spastruar radhët e larta të ushtrisë, çka mund të sjellë ose efikasitet ose paqëndrueshmëri. Kërcënuese janë edhe problemet demografike. “Politika e Një Fëmije” ka lënë pas një popullsi në plakje dhe një fuqi punëtore në tkurrje, çka mund të shkaktojë në të ardhmen trazira politike.

Shtetet e Bashkuara

SHBA-ja mbetet fuqia mbizotëruese. Fuqia ekonomike, ushtarake dhe administrative amerikane vazhdon të mbizotërojë globin, pavarësisht ankesave për rënien e saj. Uashingtoni e mbështet Ukrainën ndërsa kërcënon Iranin dhe Venezuelën, duke treguar një shtrirje globale unike.

Problemet nuk mungojnë: borxhi në rritje dhe sistemi politik jofunksional krijojnë pasiguri. SHBA-ja nuk e ka më avantazhin teknologjik absolut që gëzonte gjatë Luftës së Ftohtë. Ndoshta më shqetësuesja, është se administrata Trump e ka dëmtuar aftësinë e Amerikës për të tërhequr dhe asimiluar emigrantë, një nga pikat e saj më të forta historike.

Rusia

Rusia ka pasur 4 vite të vështira. Vendimi për të pushtuar Ukrainën e ka dëmtuar sistemin financiar, ka krijuar varësi nga Kina e India dhe shkaktuar një krizë të rëndë demografike. Megjithatë, Moska vazhdon të kontrollojë një territor gjigand dhe të pasur me burime.

Ajo e ka mobilizuar ekonominë për luftë dhe nuk duket se do të detyrohet të tërhiqet nga faktorët financiarë. Po ashtu, zotëron arsenalin e dytë bërthamor në botë dhe burimet e saj energjetike mbeten shumë të rëndësishme për botën. Me gjithë tendencat janë negative, ajo vazhdon të renditet mes fuqive kryesore.

Bashkimi Evropian

Nëse do ta përjashtonim BE-në si bllok, Gjermania, Franca dhe Britania do të meritonin vëmendje individuale. Institucionet e BE-së mbeten një projekt në ndërtim dhe boshllëqet kombëtare e dëmtojnë të ardhmen politike.

Por kur fuqitë e mëdha evropiane bashkohen në çështje kyçe, si rezistenca ndaj kërkesave të Trump apo mbështetja për Ukrainën, ato formojnë një bllok ekonomik të madh. Në aspektin teknologjik, Evropa mbetet konkurruese. Rusia dhe SHBA-ja mund të pendohen për “zgjimin gjeopolitik” që ka përjetuar Evropa vitet e fundit./ Përshtati “Pamfleti” nga “19FortyFive”

3sgIgLJ.png