Lajme

Arsyet pse e majta është bërë kaq shumë proislamike!

E majta globale dhe ndikimi i petrodollarëve në politikat pro islamike…

E majta europiane, ajo në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe e majta radikale në SHBA është kthyer prej vitesh në një kozmos politik shumë pro islamik. Në të gjitha fushatat elektorale dhe politike, partitë e spektrit të majtë, sidomos ato më radikale, nuk merren më me çështjet e mbrojtjes së punëtorëve, shtresat e dobëta apo problemet sociale si arsimi, shëndetësia dhe trajtimi i të moshuarve, por thuajse kudo e majta ka një kauzë kryesore, atë kundër Izraelit dhe pro Palestinës.

Nga ana tjetër, në programe dhe akte politike mbrojnë shtimin e xhamive, qendrave islamike dhe kanë vendosur në poste kyçe qeveritare, parlamentare dhe lokale eksponentë të besimit musliman.

Tre qytete simbol të Perëndimit, Nju Jorku, Londra dhe Roterdami drejtohen tashmë nga kryetarë bashkie që janë muslimanë. Të tre janë zgjedhur nga partitë e së majtës, duke u kthyer në liderë politikë të këtyre grupimeve, dhe nuk është e largët dita kur t’i shohim në krye të vendeve të tyre.

Këta personazhe, në shumicën e tyre, vijnë nga një jetë laike, madje disa kanë qenë edhe ateistë në jetën e shkuar, qoftë familjare apo shkollore. Por sapo vendosen në krye të politikës ata sillen jo vetëm si besimtarë, por si praktikantë.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadik Khan, agjërimin e Ramazanit apo lutjet në xhami i bën publike si një demonstrim, jo si një rit shpirtëror që besimtari e kryen për vete.

Giulio Andreotti, kryeministri tashmë ikonik i Italisë dhe lider i demokristianëve, çdo ditë në 5 të mëngjesit shkonte në kishë për t’u lutur. Ai nuk e filmonte dhe nuk e shpallte këtë rit, por e kryente në vetminë e tij.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zoran Mamdani, vjen nga një histori familjare dhe personale tepër laike. I ati është profesor filozofie ateist, ndërsa e ëma një regjisore e njohur pa lidhje me praktikimin islam. Edhe vetë Zoran është rritur në mjediset e pasura të Manhattanit, pa pasur lidhje me jetën asketike, por me atë të festave të shfrenuara të shkollarëve të pasur.

Gjatë fushatës Mamdani foli për hallën e tij të mbuluar, që e fyenin në metro apo autobusë publik, duke e kthyer këtë në brand dhe propagandë të islamit politik.

Në zgjedhjet që po zhvillohen këto ditë në Itali, situata ka degraduar më tej, pasi e majta radikale ka paraqitur një numër kandidatësh arabë, duke i shitur si palestinezë.

Një influencer i njohur në rrjetet sociale thërriste se çfarë u kanë hedhur në tru italianëve që janë dalldisur të gjithë të majtët. Në realitet përgjigjja është e thjeshtë, paratë.

Janë petrodollarët e sheikëve të Lindjes së Mesme që prej vitesh janë hedhur mbi të majtën globale dhe po përdoren si instrument publiciteti dhe propagande. Vetëm dy vjet më parë në kryeqendrën europiane, Bruksel, shpërtheu një skandal i madh që përfshiu një pjesë të madhe të së majtës së kontinentit.

Njëra prej zv.presidenteve të Parlamentit Europian, e zgjedhur nga PASOK-u grek, u arrestua pasi iu gjet një valixhe me para të marra nga përfaqësues të Katarit. Ky skandal mori emrin Qatar Gate dhe përfshiu një numër të madh politikanësh të majtë.

Përveç eurodeputetes greke Eva Kaili, të përfshirë në skandalin e parave të Katarit ishin edhe politikanët italianë Pier Antonio Panzeri dhe Andrea Cozzolino, eurodeputetja belge Maria Arena dhe Marc Tarabella.

Qatar Gate ishte vetëm maja e ajsbergut të një operacioni të madh financimesh ndaj së majtës nga bosët e Lindjes së Mesme. Ata synojnë të mbajnë gjallë dhe të lobojnë jo vetëm për çështjen palestineze, por për islamizmin si ideologji botërore.

Të gjitha qendrat bamirëse dhe shoqatat fetare, të financuara nga petrodollarët, janë kthyer në seksione operative të partive të majta të Europës. Ato ndikojnë në përzgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve, si edhe në masat që merren për komunitetet lokale. Në shumë qytete italiane, kisha janë kthyer në xhami për shkak të mungesës së financimeve vendase. Kjo ka shtuar tensionet politike dhe ka intensifikuar përplasjen mes kulturave. Për pasojë po rritet mbështetja për të djathtën radikale dhe ekstreme, ndërsa e majta dhe qendra janë kthyer në klientë të sheikëve që synojnë ringritjen e kalifatit./Pamfleti

3sgIgLJ.png