Lajme

Izraeli dhe Arabia Saudite drejt bisedimeve direkte për normalizim

Ndërsa lufta në Gaza po i afrohet fundit, Izraeli dhe Arabia Saudite po lëvizin drejt nisjes së bisedimeve direkte për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike – me Shtetet e Bashkuara në rolin e ndërmjetësuesit.

Lajmi raportohet nga gazeta izraelite “Israel Hayom”, e cila citon burime amerikane, arabe dhe izraelite që flasin për kontakte intensive gjatë javëve të fundit.

Sipas burimeve të saj, Washingtoni po përgatit një njoftim zyrtar për fillimin e negociatave, që pritet të bëhet publik gjatë vizitës së Princit të Kurorës Mohammed bin Salman në SHBA, e planifikuar pas dy javësh.

Në proces janë përfshirë këshilltari i lartë i presidentit amerikan, Jared Kushner, ministri izraelit për Çështje Strategjike Ron Dermer, ambasadorja saudite në Washington Reema bint Bandar Al Saud dhe disa këshilltarë të afërt të princit saudit.

Para luftës, Riadit dhe Tel Avivit u mungonte vetëm një hap për të nënshkruar një marrëveshje normalizimi.

Por shpërthimi i konfliktit në Gaza e ndryshoi qëndrimin saudit, duke e kushtëzuar procesin me çështjen palestineze dhe duke kritikuar ashpër veprimet e Izraelit.

Megjithatë, “Israel Hayom” shkruan se mbështetja e kryeministrit Benjamin Netanyahu për nismën e re rajonale të Donald Trump, e cila përfshin edhe një rrugë drejt një shteti palestinez, ka hapur sërish derën për dialog.

Një zyrtar i lartë amerikan ka konfirmuar për gazetën se “në javët në vijim pritet një përparim real, pasi interesat strategjike të Arabisë Saudite, Izraelit dhe SHBA-ve janë aktualisht të përputhura”.

Pengesat kryesore mbeten në kërkesën saudite për ndërtimin e një centrali bërthamor në territorin e saj me të drejtë pasurimi uraniumi – diçka që Izraeli e ka kundërshtuar tradicionalisht.

Një kompromis i mundshëm do të ishte ndërtimi i impiantit nga SHBA-të, nën mbikëqyrje dhe siguri amerikane, megjithëse nuk dihet nëse Izraeli do ta pranonte plotësisht këtë zgjidhje.

Një tjetër pikë e ndjeshme lidhet me shitjen e avionëve F-35 Arabisë Saudite.

Raportimet sugjerojnë se Pentagoni ka dhënë miratimin paraprak për marrëveshjen, e cila pritet të konkretizohet pas aprovimit të presidentit Trump.

Aktualisht, Izraeli është i vetmi vend në Lindjen e Mesme që zotëron këtë model avioni, dhe Riadi kërkon trajtim të ngjashëm me Emiratet e Bashkuara, që morën F-35 pas Marrëveshjeve të Abrahamit.

Në këtë fazë, burime diplomatike cituar nga “Israel Hayom” pohojnë se normalizimi i plotë diplomatik mbetet i largët, për shkak të përbërjes politike të koalicionit izraelit dhe rezervave saudite ndaj disa prej ministrave të tij.

Megjithatë, bisedimet pritet të nisin me marrëveshje ekonomike dhe tregtare, të cilat do të hapnin rrugën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale, veçanërisht përballë kërcënimit iranian.

Sipas një diplomati të Gjirit, “ka progres të dukshëm, edhe nëse nuk ka ende një njoftim zyrtar për bisedime direkte. Edhe një hap i kufizuar ekonomik do të ishte një përparim i madh për marrëdhëniet arabo-izraelite”.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png