Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se dy nga armët më të avancuara të arsenalit rus – raketa strategjike Burevestnik dhe mjeti i padiktueshëm detar Poseidon – do të sigurojnë “baraspeshën strategjike për të gjithë shekullin XXI”.
Në një ceremoni në Kremlin, ku u nderuan zhvilluesit e këtyre sistemeve, Putin e quajti arritjen “me rëndësi historike për popullin rus dhe për sigurinë kombëtare të vendit”, raporton Interfax.
“Rezultatet që keni arritur kanë një rëndësi historike për sigurinë tonë dhe për baraspeshën strategjike të dekadave të ardhshme – mund të themi pa hezitim për të gjithë shekullin XXI”, tha Putin.
Sipas tij, Burevestnik dhe Poseidon janë ndërtuar vetëm me materiale dhe teknologji vendase, ndërsa disa prej tyre do të mund të përdoren edhe në industri civile, përfshirë energjinë bërthamore të shkallës së vogël, kërkimin në Arktik dhe zhvillimin e programeve hapësinore.
Putin shtoi se teknologjitë e zhvilluara për këto sisteme – veçanërisht komponentët elektronikë dhe reaktorët miniaturë – do të kenë aplikime në fushën e kompjuterëve të fuqishëm, sistemeve të kontrollit dhe energjisë për misione në Hënë dhe në thellësi të oqeanit.


