Lajme

Shqipëria shton fondet për mbrojtjen, në përputhje me synimet e NATO-s

Qeveria parashikon një rritje të ndjeshme të fondeve për mbrojtjen kombëtare në buxhetin e vitit 2026, me 100 milionë euro më shumë krahasuar me vitin aktual.

Me këtë rritje, shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 589 milionë euro, ose afërsisht 2.1% të prodhimit të brendshëm bruto – duke e afruar Shqipërinë me objektivat e rinj të NATO-s.

Në relacionin shoqërues të projekt-buxhetit thuhet se prioritetet për periudhën 2026-2028 do të përqendrohen në modernizimin e kapaciteteve ushtarake, pajisjen e forcave tokësore me armatim të ri të ndërveprueshëm me NATO-n, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe sistemeve teknologjike të Forcave të Armatosura.

Qeveria thekson gjithashtu se pjesëmarrja në operacionet e Aleancës do të rritet, ndërsa Forcat e Armatosura do të vijojnë angazhimet në misione ndërkombëtare dhe përballjen me emergjencat civile.

Samiti i 25 qershorit në Hagë regjistroi një moment historik për të gjithë vendet anëtare të NATO-s, duke riafirmuar angazhimin e palëkundur për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje deri në 5 për qind të PBB-së brenda një dekade.

Në këtë kuadër, Shqipëria ka nisur prej kohësh që të ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së këtij angazhimi.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur më herët se vendi po harton një plan të detajuar për të rritur gradualisht shpenzimet e mbrojtjes, duke synuar që brenda një periudhe 10-vjeçare të arrijë synimin e 5 për qind të PBB-së, siç është kërkuar nga Aleanca.

“Ne jemi të vendosur që këto investime të mos jenë thjesht për blerjen e armatimit, por të jenë një motor për zhvillimin ekonomik brenda vendit”, theksonte Vengu.

Sipas tij, fondet e dedikuara do të kanalizohen edhe “në zhvillimin e infrastrukturës ushtarake që ka përdorim civil”, duke krijuar kështu një sinergji mes mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.

Në përputhje me këtë strategji, Shqipëria është në bisedime intensive me disa kompani ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur interes për investime në linjat e prodhimit të artilerisë së rëndë, armatimit të lehtë, municioneve, automjeteve të blinduara dhe uniformave ushtarake.

Nga 25 investitorë të huaj që kanë shprehur interes, disa prej emrave më të mëdhenj janë kompani me seli në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael.

Një prej partnerëve kryesorë është kompania izraelite Elbit Systems Ltd., një nga gjigantët globalë në industrinë e mbrojtjes, e cila nënshkroi në prill të këtij viti një memorandum bashkëpunimi me autoritetet shqiptare.

Projekti i saj kryesor në Shqipëri përfshin montimin e dronëve dhe prodhimin e armatimit të lehtë dhe të rëndë në ish-Uzinën e Bakrit në Rubik, e cila po transformohet në një qendër kyçe të prodhimeve ushtarake për Forcat e Armatosura.

Gjithashtu, një tjetër bashkëpunim strategjik është ai me Lockheed Martin, gjigantin amerikan të industrisë ushtarake, që po mbështet procesin e modernizimit të forcave të armatosura shqiptare.

Edhe pse për momentin ende po pritet dorëzimi i sistemit anti-tank Javelin, i porositur që prej vitit 2022, bisedimet me Lockheed Martin kanë për qëllim përparimin e mëtejshëm në teknologji dhe kapacitete.

Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, brenda 14 muajve Shqipëria do të ketë në gatishmëri sistemet e para të mbrojtjes ajrore të furnizuara nga kompania prestigjioze franceze Thales.

Radari Ground Master 400 Alpha (GM400α) do të sigurojë kapacitete të avancuara për monitorimin e hapësirës ajrore, një mjet thelbësor për sovranitetin dhe ndërgjegjësimin situacional të vendit.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png