Lajme

Pretendim i gabuar, bëhet fjalë për propozim dhe jo ligj të finalizuar

Shkroi: Etrit Rexhepi

Janë publikuar imazhe me mbishkrimin “SHBA me ligj të ri: S’ka ndarje të Kosovës, vetëm marrëveshje për njohje!”.

Kjo përmbajtje është publikuar të enjten (30 tetor) nga faqet “Specbuk” dhe “Gazeta Shtatë”.

Çka nuk shkon me pretendimin?

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është propozuar një ligj, i cili po që se miratohet dhe hyn në fuqi si i tillë, SHBA-jado të kundërshtojë çdo politikë për ndryshim kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të mbështesë një marrëveshje përfundimtare në mes dy shteteve bazuar në njohje reciproke. Kjo do të thotë se pretendimi i cili po trajtohet është i pasaktë sepse bëhet fjalë për projektligj që ende nuk është miratuar. Pra nuk kemi të bëjmë me “ligj të ri” në SHBA.

Deri në momentin e publikimit të trajtimit, përmbajtja e publikuar në faqen “Specbuk” ka marrë mbi 500 pëlqime dhe mbi 80 komente, ndërsa ajo në faqen “Gazeta Shtatë” ka mbi 5 mijë pëlqime e mbi 500 komente. Në bazë të përmbajtjes në komente, mund të vlerësohet se audienca mund ta marrë si të konfirmuar pretendimin.


Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur dokumentin e këtij projektligji me numrin H.R.5274  dhe titullin “Western Balkans Democracy and Prosperity Act” (Akt për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor) (shih këtu).

Projektiligji është propozuar nga William R. Keating, përfaqësues demokrat nga shteti i Massachusetts dhe është dërguar (10 shtator 2025) për shqyrtim në Komitetin për Punë të Jashtme dhe Komitetin për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ky projektligj synon të përcaktojë qasjen e SHBA-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor (përfshirë Kosovën dhe Serbinë) dhe është vetëm i prezantuar, që do të thotë se ende nuk është votuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Projekligji parashikon qartë që “Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk do të ndjekë asnjë politikë që avokon për shkëmbim territoresh, ndarje apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor”dhe thotë se SHBA duhet të mbështesë një marrëveshje përfundimtare Kosovë–Serbi të bazuar në njohje reciproke.

Neni 11 (Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë) është seksioni i këtij projektligji që flet për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Neni 11 i projektligjit i përkthyer në shqip

(a) Qëndrimi i Kongresit. — Kongresi shpreh qëndrimin se:

Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt 2023, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përbën një hap pozitiv përpara në drejtim të avancimit të procesit të normalizimit midis dy vendeve;

Serbia dhe Kosova duhet të përpiqen të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e Aneksit të Zbatimit të marrëveshjes së përmendur në pikën (1);

Pasi të jetë arritur përparim i mjaftueshëm në Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë nxitjen e iniciativave për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me të dy vendet, që mund të përfshijnë:

(A) krijimin e dialogut strategjik dypalësh me Kosovën dhe Serbinë; dhe

(B) ndërmarrjen e nismave konkrete për thellimin e tregtisë dhe investimeve me të dy vendet;

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke.

(b) Deklaratë politike. — Politika e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara është që:

Të mos ndjekë asnjë politikë që promovon shkëmbim territoresh, ndarje apo forma të tjera të ridizajnimit të kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor, si mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit; dhe

Të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor, si mënyrë për të parandaluar rikthimin e tensioneve etnike që dikur karakterizonin rajonin.


Një projektligj në SHBA kalon përmes disa fazave të procesit legjislativ: fillimisht prezantohet nga një anëtar i Kongresit dhe i referohet komitetit përkatës për shqyrtim dhe amendime. Pas kësaj, debatohet dhe votohet në Dhomën e Përfaqësuesve ose në Senat, në varësi të dhomës ku u prezantua, dhe në fund i dërgohet Presidentit për nënshkrim ose veto (shih këtu).

Analiza

Është pretenduar gabimisht nëpërmjet imazheve në Facebook për një ligj të ri në SHBA e që nuk lejon ndarjen e Kosovës e se parasheh vetëm marrëveshje për njohje me Serbinë.

Por, në SHBA vetëm është prezantuar një projektligj (H.R.5274, “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”) që parashikon mbështetjen e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë–Serbi të bazuar në njohje dhe kundërshtimin e ndarjes territoriale. Ky projektligj nuk është votuar nga Dhoma e Përfaqësuesve ose Senati, pra ende nuk është miratuar.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Gabim”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png