Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska është e gatshme të ofrojë garanci sigurie ndaj vendeve evropiane, duke përfshirë shtetet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Ne kemi përsëritur disa herë se nuk kemi pasur asnjëherë ndërmend të sulmojmë ndonjë nga shtetet aktuale të NATO-s apo BE-së. Jemi të gatshëm ta formalizojmë këtë qëndrim përmes garancive të ardhshme sigurie për këtë pjesë të Euroazisë”, tha Lavrov.
Deklarata e tij vjen në një moment tensionesh të larta midis Rusisë dhe Perëndimit, veçanërisht pas zgjerimit të aleancës së NATO-s dhe përfshirjes së Finlandës e Suedisë me shpërthimin e luftës në Ukrainë.
Analistët ndërkombëtarë e shohin këtë ofertë si përpjekje diplomatike të Moskës për të rishfaqur veten si aktor paqeje, në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon të tensionojë marrëdhëniet me Evropën.


