Një operacion i gjerë i Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda është zhvilluar më 19 tetor 2025 në komunat veriore të Zveçanit dhe Zubin Potokut, me qëllim ekzekutimin e një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, lidhur me rastin e rëndë të vitit 2013, ku ishte vrarë pjesëtari i UNMIK-ut, Audrius Senavicius.
Sipas informacioneve të Gazetës Sinjali, në kuadër të këtij operacioni janë identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar për veprat penale “Rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “Vrasje e rëndë” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Të arrestuarit janë: Ljubomir Milentijeviq, Sasa Kasaloviq, Radomir Kasaloviq.
Operacioni është zhvilluar në tetë lokacione të ndryshme në komunat e Zveçanit dhe Zubin Potokut, ku gjatë kontrolleve janë sekuestruar: telefona celularë, pajisje elektronike, uniforma të Policisë së Kosovës, uniforma ushtarake, gëzhoja, fishekë, thika, bajoneta, antiplumba dhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Në total, janë intervistuar tre persona si të dyshuar dhe katër si dëshmitarë, ndërsa një person tjetër ndodhet ende në arrati.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Ndërkohë, nga materiali i sekuestruar – përfshirë municion dhe gëzhoja – Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka inicuar dy raste të veçanta për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ky operacion rikthen në vëmendje njërin prej rasteve më të ndjeshme të pasluftës në veri të vendit, ku më 19 shtator 2013, në fshatin Ballaban të Zveçanit, gjatë një operacioni policor, ishte vrarë pjesëtari i UNMIK-ut Audrius Senavicius, duke tronditur institucionet vendore dhe ndërkombëtare.