Pas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku deri tani janë numëruar rreth 55 për qind e votave të raundit të parë, po qartësohet një ndryshim i madh në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. VMRO-DPMNE po udhëheq bindshëm ndaj LSDM-së në bllokun maqedonas, ndërsa në bllokun shqiptar koalicioni VLEN po i merr terren BDI-së në komunat më të rëndësishme të vendit.
Të dhënat e deritanishme, tregojnë se në kampin shqiptar ka nisur njëllojë përmbysje nga Koalicioni VLEN. Ata po shënojnë fitore të rëndësishme në bastione tradicionale të BDI-së. Në Tetovë, Bilall Kasami prin bindshëm ndaj kandidatit të AKI-së, Bajram Rexhepi, ndërsa në Çair, Izet Mexhiti e ka shpallur fitoren duke kërkuar publikisht dorëheqjen e Ali Ahmetit, të cilin e cilësoi si “politikisht të pensionuar nga vota e shqiptarëve”.
Në anën tjetër, në pjesën maqedone, VMRO-DPMNE ka fituar 52 komuna, duke e lënë shumë prapa LSDM-në, e cila prin vetëm në 9 komuna. Ky raport e paraqet më qartë se kurrë rënien e LSDM-së dhe rimarrjen e fuqisë nga VMRO-ja. Zyrtarët e opozitës maqedonase tashmë e kanë cilësuar këtë rezultat si një dënim politik të qeverisjes së kaluar dhe një sinjal të qartë për ndryshim të kursit politik në vend.
VLEN ka shpallur fitore edhe në Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë, komuna ku BDI dikur kontrollonte bindshëm rezultatin.
Zgjedhjet e 19 tetorit u mbajtën me të drejtë vote për 1 milion e 832 mijë qytetarë të regjistruar, në 3 mijë e 474 vendvotime, me gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe mbi 10 mijë kandidatë për këshilla komunalë. Sipas komisionit zgjedhor, procesi ka rrjedhur i qetë dhe pa parregullsi madhore.
Raundi i parë ka dhënë tashmë dy konkluzione të mëdha politike: VMRO-DPMNE po e çon drejt kolapsit LSDM-në, ndërsa në bllokun shqiptar po riformatohet fuqia – me VLEN-in që po e sfidon seriozisht dominimin e gjatë të BDI-së. Raundi i dytë, që pritet të jetë vendimtar në disa komuna kyçe, do të përcaktojë përfundimisht nëse ky është fillimi i një cikli të ri politik në vend.