Vetëm një javë pas njoftimit për tërheqjen nga gara për rizgjedhje, kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, do të nisë një vizitë zyrtare katërditore në Shqipëri, raporton NBC New York.
Sipas zëdhënëses së kryebashkiakut, Kayla Mamelak, vizita nuk ka të bëjë me ndonjë ambicie për poste diplomatike apo punësime të ardhshme, por është fokusuar te mundësitë konkrete për investime dhe rritje të turizmit në New York.
Adams është ftuar nga vetë kryeministri i Shqipërisë, dhe gjatë qëndrimit pritet të takohet me drejtues të lartë shtetërorë, anëtarë të Parlamentit dhe Kabinetit, si edhe përfaqësues të sektorit privat, sipas raportimit.
Në agjendën e tij përfshihen vizita në fabrika, takime me liderë të industrisë së teknologjisë dhe diskutime për projekte të përbashkëta.
Udhëtimi i Adams dhe një pjesëtari të stafit të tij është financuar nga Bashkia e New York-ut, ndërsa akomodimi (rreth 200 dollarë nata) dhe transporti tokësor (90 dollarë në ditë) janë mbuluar nga qeveria shqiptare.
Vizita e Adams në Shqipëri vjen gjithashtu pas angazhimit të tij të mëparshëm me komunitetin shqiptar në New York. Në qershor, ai organizoi një pritje zyrtare në Gracie Mansion për nder të kulturës shqiptare dhe mori pjesë në paradën shqiptare në qytet.
Me një komunitet prej mbi 60 mijë shqiptarësh-amerikanë që jetojnë në lagje si Belmont, Pelham Parkway, Astoria dhe Tompkinsville, kjo vizitë konsiderohet nga shumëkush si një hap strategjik për të thelluar marrëdhëniet mes New York-ut dhe diasporës shqiptare.


