Dinamika e plotë e krimit makabër që tronditi vendin…
Policia e Tiranës ka sqaruar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë. Ai u qëllua brenda sallës së gjyqit, ndërkohë që u plagosën edhe dy persona të tjerë.
Policia përmes një njoftimi për mediat bën me diej se autori në fakt nuk është Gjon Shkëmbi, por është djali i tij, Elvis Shkëmbi, 30 vjeç. Fillimisht u raportua se ishte Gjon Shkëmbi, i cili ka dalë disa herë në media duke u ankuar se nuk kishte drejtësi mbi një pronë të tijën.
Babë e bir prej vitesh kishin një konflikt për pronën me një palë tjetër dhe ishin në proces gjyqësor. Sot mësohet se ishte shpallja e vendimit dhe sapo gjyqtari ka dhënë aktin final, i cili ishte kundër familjes Shkëmbi, i riu 30-vjeçar ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar 3 herë gjyqtarin. Më pas është drejtuar nga pala tjetër me të cilin ishin në proces, duke qëlluar ndaj Rakip dhe Ervis Kurtajt, duke i plagosur dhe ata.
Pas të shtënave, gjyqtari ka arritur të dalë nga salla, por më pas është rrëzuar në tokë. Ndërkohë vetë autori nuk është larguar, ai e ka dorëzuar armën te roja e sigurisë në gjykatë.
“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.
Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen”, tha policia.
Një grup hetimor do të punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa në vendin e ngjarjes mbërritën edhe dy prokurorë të SPAK.


