Republikanët dhe demokratët përplasen, Amerika rrezikon paralizimin institucional…
Qeveria e Shteteve të Bashkuara rrezikon të mbyllet ditën e mërkurë nëse demokratët dhe republikanët në Kongres nuk arrijnë marrëveshje për një ligj kyç të financimit. Pa të, shumë shërbime federale do të pezullohen dhe pagat e qindra mijëra punonjësve do të ndalen, me mundësinë që këtë herë, ata të mos rikthehen më në punë.
Pse po ndodh ky ngërç?
Viti i ri fiskal federal nis më 1 tetor, por Kongresi ende nuk ka rënë dakord për një ligj afatshkurtër financimi. Republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit – 53 vende në Senat kundrejt 47 të demokratëve, dhe një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, me 220 kundrejt 212. Megjithatë, për të kaluar ligjin në Senat duhen 60 vota, gjë që republikanëve u mungon.
Çështja që ka bllokuar procesin është financimi i programit të kujdesit shëndetësor të njohur si Obamacare. Demokratët refuzojnë të mbështesin projektligjin republikan, për sa kohë nuk anulohen shkurtimet në Medicaid të miratuara nën paketën e Trump-it në korrik. Ata kërkojnë gjithashtu zgjatjen e kredive tatimore që ulin kostot e sigurimeve shëndetësore për amerikanët me të ardhura të ulëta.
Republikanët kanë refuzuar kompromiset e propozuara nga demokratët, përfshirë një projektligj financiar vetëm për 7 deri në 10 ditë. Presidenti Trump e ndërpreu dialogun me liderët demokratë, duke i quajtur kërkesat e tyre “të pavlera”.
Retorika politike dhe tensionet raciale
Pas një takimi pa rezultat me liderët e Kongresit, Trump publikoi një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale në platformën e tij Truth Social. Videoja tallte dy liderët demokratë, Chuck Schumer dhe Hakeem Jeffries, me elemente stereotipike e raciste që nënkuptonin emigrantët meksikanë. Jeffries e denoncoi videon si “të neveritshme”, duke akuzuar republikanët për një sulm të paprecedentë ndaj kujdesit shëndetësor publik.
Çfarë ndodh nëse qeveria mbyllet?
Në rast mbylljeje, rreth 900,000 punonjës federalë do të dërgohen në pushim pa pagesë (furlough). Ata që mbeten në punë, si forcat e armatosura, FBI, CIA dhe kontrollorët e trafikut ajror, nuk do paguhen derisa qeveria të rifillojë funksionimin. Shërbime si Social Security dhe Medicare vazhdojnë normalisht, ndërsa Shërbimi Postar nuk ndikohet.
Në mbylljen më të gjatë, gjatë mandatit të parë të Trump-it në 2018-2019, 35 ditë pa financim pezulluan punën e 9 departamenteve federale. Edhe më parë, mbyllje të tilla kanë ndodhur në vitet 1970, 1980 e 1990, përfshirë kohën e presidentëve Reagan, Carter dhe Clinton.
Por këtë herë, situata është edhe më agresive. Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) ka dërguar një urdhëresë ku kërkon nga agjencitë federale plane për shkurtim të përhershëm të stafit në rast mbylljeje, jo thjesht pezullim. Kjo do të thotë se shumë punonjës federalë mund të humbin vendet e tyre të punës përgjithmonë.
Demokratët e kanë dënuar këtë si “përpjekje për frikësim masiv”. Chuck Schumer shkroi se Kongresi nuk do të lejojë përdorimin e punonjësve si peng, ndërsa Jeffries theksoi se “kërcënimet për pushime masive nuk do të na ndalin.”
Pasojat ekonomike dhe politike
Një mbyllje e qeverisë do të shtynte publikimin e raportit mujor të punës dhe të dhënave mbi inflacionin, duke prishur tregjet dhe vendimmarrjen ekonomike në një moment të brishtë për borxhin publik amerikan.
Politikisht, ngërçi rrit presionin mbi senatorët republikanë që garojnë për rizgjedhje në 2026, të cilët nga njëra anë janë nën presionin e Trump-it për të mbështetur shkurtimet, por nga ana tjetër përballen me zemërimin e votuesve që rrezikojnë humbjen e përfitimeve shëndetësore.
Nëse deri të martën në mesnatë (me orën lokale) nuk arrihet marrëveshje, mbyllja do të hyjë automatikisht në fuqi të mërkurën në mëngjes. Sipas tregut të parashikimeve Polymarket, probabiliteti i një mbylljeje është aktualisht 86%.
Në fjalët e vetë Trump-it: “Nuk e di si do ta zgjidhim këtë çështje.” Por për punonjësit federalë dhe qytetarët që varen nga shërbimet publike, mbyllja është më shumë se një debat politik – është një goditje e drejtpërdrejtë mbi jetesën e tyre/ Përshtatur nga “Al Jazeera”