Lajme

Erdogan i kërkon Edi Ramës arrestimin e Kryerabinit të Shqipërisë

Përmes shoqatave fantazmë të kontrolluara nga MIT-i, Erdogan kërkon arrestimin e kryerabinit të Shqipërisë, Yoel Kaplan, duke provokuar një incident diplomatik mes Tiranës, Izraelit dhe SHBA-së...

Vijojnë skandalet e ndërhyrjes së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në punët e brendshme të Shqipërisë. Pas kërkesave ndër vite për arrestimin dhe rrëmbimin e disa qytetarëve turq që i konsideron kundërshtarë politikë, “sulltani” i Ankarasë ka nisur procedurat zyrtare për të kërkuar arrestimin e kryerabinit të Shqipërisë, Yoel Kaplan.

Kërkesa është përpiluar nga dy shoqata fantazmë, të cilat shërbejnë si vegla të shërbimit sekret turk, MIT. Një prej tyre është “Qendra Ndërkombëtare e Drejtësisë për Palestinezët (ICJP)”, e regjistruar në Londër, që ka dërguar akuzën për rabinin Kaplan, duke e fajësuar për krime në zonën e Khan Yunis në Gaza.

Kaplan, si shumë shtetas të tjerë izraelitë, iu përgjigj thirrjes së vendit të tij pas masakrës së 7 tetorit 2024, duke u mobilizuar si rezervist. Por roli i tij është kryesisht klerikal: udhëheqja e lutjeve fetare dhe motivimi i ushtarëve në front. Edhe pse i armatosur si pjesë e efektivave, rabinët nuk përfshihen në luftime të drejtpërdrejta. Akuzat ndaj tij, deri tani, nuk janë shoqëruar me prova.

Në thelb, problemi është politik dhe përbën një incident diplomatik. Erdogan, përmes shoqatave të kontrolluara nga shërbimet e tij, synon të komplikojë marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin, duke vendosur në vështirësi edhe qeverinë shqiptare dhe raportet me Shtetet e Bashkuara.

Mediat pranë Erdoganit e kanë publikuar me bujë këtë shkresë të rezervuar, duke shtuar presionin dhe gjuhën e urrejtjes ndaj komunitetit hebre në Shqipëri. Një komunitet që, prej vitit 1990, ka sinagogën e vet në Tiranë dhe ushtron normalisht ritet fetare, me mbështetjen e shtetit shqiptar dhe me marrëdhënie të institucionalizuara.

Sulmet ndaj rabinit Kaplan kanë nisur prej vitesh nga qarqe të lidhura me Erdoganin. Shpesh e kanë akuzuar pa prova dhe e kanë shënjestruar edhe për pjesëmarrjen e tij në aktivitete të Kryegjyshatës Bektashiane me ftesë të Baba Mondit, diçka që ekstremistët turq e konsiderojnë “blasfemi”, por që në Shqipëri është shenjë e tolerancës fetare.

Në komunikimet e tij publike, Kaplan ka shmangur gjithmonë polemikat. Edhe kur është pyetur drejtpërdrejt për situatën në Palestinë, ai ka folur me kujdes, duke theksuar nevojën për një zgjidhje politike dhe duke përcjellë mesazhe tolerance ndërfetare. Pikërisht kjo qasje e ka bërë të popullarizuar dhe të respektuar në Shqipëri.

Për këtë arsye, lëvizja e Erdoganit shihet si provokacion i pastër politik dhe një përpjekje për të ndikuar në raportet shqiptaro-izraelite./Pamfleti

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif