Shkup – Nga viti në vit shpeshtohen paralajmërimet për reformat në administratë. Analizat e ndryshme tregojnë se ngadalshëm po lëvizin reformat në administratën publike. Përkundër reformave të shumta, ndryshimeve legjislative dhe planeve për profesionalizimin e administratës, administrata shtetërore akoma vështirë po ndahet nga ndikimi partiak në Maqedoni. Në raportet e Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, reformat në administratën publike janë përsëri ndër fushat më të spikatura, me theks në nevojën për departizim, llogaridhënie dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët. Komisioni Evropian në raportet e tij të fundit vlerëson administratën publike si një fushë ku është bërë përparim i kufizuar. Pavarësisht strategjive dhe ligjeve të miratuara, ndikimi politik, klientelizmi dhe mungesa e profesionalizmit mbeten sfida të mëdha. Në pritje të zgjedhjeve lokale në tetor, paralajmërohet përsëri racionalizimi, edukimi dhe departizimi i punonjësve të sektorit publik.
“Përveç departizimit, në periudhën e ardhshme po fillojmë edhe një proces të ri me një paketë prej tre ligjesh të reja, për menaxhimin e nivelit të lartë, pagat dhe organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore”, thotë Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Sipas tij, partishmëria, punësimi miqësor dhe nepotizmi gjatë 30 viteve të fundit e kanë sjellë administratën në një gjendje jofunksionale, të rëndë, të ngadaltë dhe joefikase. Ai paralajmëron një pako ligjesh për përmirësimin dhe profesionalizimin e nëpunësve civilë, por edhe shkurtime, aty ku është e nevojshme. Sipas tij, do të fillohet me shkurtimet minimale apo të harmonizimit dhe shkurtimit të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës, bashkimit të disa institucioneve si dhe shkurtimit deri në 40 për qind të shfrytëzuesve buxhetor, që është edhe obligim nga BE-ja. Sipas ambasadorit francez, Christophe Le Rigollet, procesi i përafrimit evropian është një proces i zbatimit të reformave dhe transformimit. Megjithatë, reformat e kërkuara nga BE-ja nuk duhet të kuptohen si kufizuese, as si një detyrim që duhet të zbatohet sepse BE-ja e kërkon këtë. “Ato janë diçka pozitive për vendin dhe të gjithë qytetarët do të përfitojnë prej tyre”, thotë ambasadori francez.
Në sektorin publik në Maqedoni ka 1.371 institucione aktive, të cilat punësojnë 128.879 persona. Sipas të dhënave nga Regjistri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, numri i të punësuarve në institucionet e sektorit publik është ulur me 495.
Sa për krahasim, në vitin 2017, në sektorin publik e Republikës së Maqedonisë së Veriut kishte 1.299 institucione aktive, të cilat kanë punësuar 128.722 persona. Duke raportuar për një vit të mandatit të tij, ministri Minçev doli me një vlerësim se vetëm 25-30 për qind e punonjësve po mbajnë ngarkesën, rreth 30 për qind nuk po japin maksimumin e tyre dhe deri në 40 për qind e administratës nuk po bën asgjë ose nuk përpiqet të vijë në punë. Njohësit e kësaj problematike thonë se sektori publik financohet nga taksapaguesit apo secili prej nesh duke ofruar shërbime të ndryshme si, vendime, leje, certifikata… andaj edhe ndikon në cilësinë e jetës sonë. Për më tepër shtojnë se mungojnë reforma të qëndrueshme, të thella dhe thelbësore, megjithëse strategjitë e reformës së administratës publike kanë ekzistuar që nga viti 1999. Andaj, mbetet akoma në letër aspirata për një administratë publike të vogël, dhe efikase.
Në Maqedoninë e Veriut ka pasur dhe do të ketë ligje për administratën publike, dhe që të mos ketë punësime partiake dhe familjare, duhet të ketë vullnet politik, thonë ekspertët. “Ligji i parë për nëpunësit civilë nga viti 2000 gjithashtu profilizoi sistemin e meritës. Kemi shumë ligje, veçanërisht ato të vitit 2014, të cilat kërkojnë departizimin e administratës, profesionalizimin etj. Por nuk kishte vullnet politik. Tani ligjet e reja formalisht dhe ligjërisht garantojnë të njëjtën gjë, por nevojitet vullnet politik. Nëse ka, atëherë mund të presim reforma të vërteta”, thotë Borçe Davitkovski, ekspert i administratës publike.
Ndryshe, sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, arritja e reformës së administratës publike po ecën me përparim të moderuar. Shërbimi publik dhe menaxhimi i burimeve njerëzore mbeten të pamjaftueshëm, dhe llogaridhënia e administratës duhet të përmirësohet, ashtu si edhe menaxhimi i financave publike dhe shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, janë pjesë e vlerësimeve të bëra nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të vitit 2024 për Maqedoninë. Politizimi në sektorin publik vazhdimisht dëmton zbatimin konsistent të dispozitave të bazuara në meritë dhe proceseve transparente dhe zvogëlon më tej besimin në administratë dhe punën e saj thuhet në Raport. (koha.mk)


