Lajme

Teatri dhe Biblioteka e Tetovës…, për të cilat nuk flet askush

Ndërsa miliona denarë investohen për të mbyllur projektet simotra të mbetura pezull prej vitesh dhe të tjera investohen në fillimin e projekteve të reja, faza e dytë për mbylljen e Teatrit dhe Bibliotekës ka mbetur thuajse në vendnumëro. Kryeministri i ka cilësuar si historike investimet që po bëhen në kulturë, ndërsa Teatri dhe Biblioteka po kalojnë në histori për rekordin e kohëzgjatjes së punimeve    

Evis HALILI

Punimet për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, që për dy muaj shënojnë 11 vite që nga nisja, kanë mbetur totalisht jashtë projeksioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për përfundimin e tyre. Ndërsa miliona denarë investohen për të mbyllur projektet simotra të mbetura pezull prej vitesh dhe të tjera investohen në fillimin e projekteve të reja, faza e dytë për mbylljen e Teatrit dhe Bibliotekës ka mbetur thuajse në vendnumëro. Pas reduktimit të fondit për vitin 2025 në 15 milionë denarë, ose 20 fish më pak sesa ishte planifikuar me rebalancimin e buxhetit në muajin qershor, fondi u katandis në vetëm 13 milionë denarë. Drejtoresha e Qendrës së Kulturës, që menaxhon realizimin e projektit, Njomza Imeri Ismaili, pohon se deri tani janë shpenzuar rreth 10 milionë denarë për blerje aparaturash. “Kjo është situata. Për rreth katër muaj që në detyrë qëndronte drejtori në dorëheqje nuk është firmosur asnjë dokument dhe qeveria ka tërhequr 15 për qind nga buxheti. Këto mjete janë pak për blerjen e të gjitha aparaturave të nevojshme dhe jemi në bisedime me MKT dhe në Qeveri që të na përkrahin financiarisht”,  thotë Imeri Ismaili.

Sa i takon 60 milionë denarëve që iu premtuan në muajin qershor deri tani nuk ka asnjë konfirmim.

Pak ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickovski ka deklaruar se absolutisht, si në çdo fushë tjetër në kulturë kemi vërtet investime, Të cilat do të thoja se janë historike”, ka deklaruar Miskovski.

Me rebalancin e fundit në total MKT pothuajse i ka dyfishuar shpenzimet, nga 246 milionë të parashikuara në këtë fillimvit në 464 milionë denarë. Përfituesit kryesorë janë Kalaja e Shkupt që 2 milionët e parashikuara i ka bërë 10 milionë denarë, Universiteti “Shën Klimenti” në Pllaoshnik që nga 10 milionë ka kaluar në 46 milionë denarë. Zëri “Shpenzime kapitale” (objekte ndërtimi) nga 10 milionë kanë shkuar në mbi 41 milionë denarë. Sa i takon Teatrit dhe Bibliotekës në buxhetin e 2025 në vend të 300 milionë denarëve akordoi vetëm 15 milionë. Kjo është e disata herë që fondet për këtë objekt kapital korrigjohen, por ky është reduktimi më i madh që ngre pikëpyetje serioze për mbarëvajtjen e projektit.  Gurthemeli për ndërtimin e objektit është vënë në 28 nëntor të vitit 2014. Se do të përfundonte brenda mandatit të qeverisjes kanë premtuar ish-ministrja e Kulturës, Elisabeta Kançevska Milevska, Robert Allagjazovski, i pasuar nga dy ministra shqiptarë – Asaf Ademi (qershor 2018-qershor 2019) dhe Hysni Ismaili (qershor 2019-gusht 2020). Dy ministret e tjera ishin Irena Stefoska (16 muaj) dhe Bisera Kostadinova Stojçevska (2 vjet), duke përfunduar tek Zoran Lutkov, që publikisht është shprehur i rezervuar. “Nuk janë akorduar pak mjete për këtë vit….Do të ndjekim punimet në terren dhe do të vendosim nëse do të shtojmë apo heqim mjete. Me këtë dinamikë nuk mund të përfundojë ndërtimi brenda këtij viti. Jo për fajin tonë, por të atyre që i imponuan këtë dinamikë”, ka thënë ministri. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif