Hetimet për vrasjen e liderit konservator amerikan Charlie Kirk po zbulojnë detaje të reja. Zyrtarë të lartë të FBI-së konfirmojnë se autori i dyshuar, Tyler Robinson, 22-vjeç, jetonte në Utah me partnerin e tij transgjinor, i cili po bashkëpunon plotësisht me hetuesit.
Sipas burimeve, partneri i Robinson nuk kishte dijeni për planin dhe nuk akuzohet për ndonjë vepër penale. Megjithatë, komunikimet e tyre me mesazhe kanë ndihmuar FBI-në të gjurmojë Robinsonin, ndërsa nga banesa e tyre janë sekuestruar kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që janë dërguar në Quantico për ekspertizë.
Charlie Kirk, 31 vjeç, baba i dy fëmijëve të vegjël dhe themelues i lëvizjes konservatore “Turning Point USA”, u vra të mërkurën teksa mbante një fjalim në Universitetin e Utah Valley. Sipas autoriteteve, ai u qëllua me një plumb nga çatia e një ndërtese rreth 200 metra larg sallës ku zhvillohej aktiviteti.
Pak çaste para të shtënës fatale, një nga pjesëmarrësit i kishte bërë Kirk pyetje mbi rolin e personave transgjinorë në masakrat e viteve të fundit, pyetje të cilave ai iu përgjigj përpara se të ekzekutohej.
Pas 33 orësh kërkimi, FBI publikoi pamje të Robinsonit nga kamerat e sigurisë. Ishte babai i tij ai që e njohu në video dhe vendosi ta dorëzojë tek autoritetet, pas një bisede me një prift lokal. Në momentin e arrestimit, Robinson ka deklaruar se donte t’i jepte fund jetës.
Hetuesit kanë zbuluar se pushka e përdorur për atentatin përmbante fishekë me mbishkrime me mesazhe antifashiste. Guvernatori i Utah, Spencer Cox, konfirmoi se në një gëzhojë të përdorur dhe në tre të tjera të papërdorura ishin gdhendur slogane me këtë përmbajtje.
Hetimet e FBI-së vijojnë, ndërsa autoritetet theksojnë se çdo lidhje apo person i përfshirë do të hetohet deri në fund.
Charlie Kirk sihte përkrahës i madh i familjes tradicionale dhe donte të ndalohej mësimi transgjinor nëpër shkolla.