Gruaja e ish-Kryeministrit të Nepalit, Jhala Nath Khanal, ka ndërruar jetë pasi u dogj e gjallë kur shtëpisë së saj ju vendos flaka gjatë protestave të dhunshme antiqeveritare që kanë përfshirë vendin, raportojnë mediat rajonale.
Ndërtesa e parlamentit të Nepalit, si dhe shtëpitë e disa liderëve politikë, janë djegur gjatë trazirave që e kanë zhytur vendin në një krizë të thellë.
Protestat, të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë, shpërthyen me forcë pasi qeveria ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale.
Megjithatë, shkaktarët kryesorë të pakënaqësisë mbeten korrupsioni i përhapur dhe mungesa e mundësive për të rinjtë.
Parlamenti i vendit është djegur nga demonstruesit. Ndërkohë, Kryeministri KP Sharma Oli dha dorëheqjen pas protestave të dhunshme kundër korrupsionit në rritje në vend.
Dorëheqja e tij erdhi një ditë pasi 19 protestues mbetën të vrarë nga forcat e sigurisë gjatë demonstratave të dhunshme.