Shkup – Dy dekada e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dokumenti që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe hodhi themelet e barazisë ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Përvjetori i 24-të i kësaj marrëveshje u shënua me tone solemne, por edhe me nuanca të qarta politike. Qeveria këtë ngjarje e shënoi me një seancë solemne ku fjalë rasti patën kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, të cilët dhanë mesazhe për unitet, bashkëpunim ndër-etnik dhe respektim të barazisë.
MICKOSKI: MAQEDONIA, SHTËPI E TË GJITHËVE
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se emigrimi është një problem që prek të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, duke e cilësuar atë si pasojë të mungesës së zgjidhjes së problemeve reale. “Si politikan nuk njoh botë të vogël apo të madhe, por vetëm një botë – Maqedoninë, shtëpinë e të gjithë qytetarëve ku kemi detyrim të sigurojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë. Duhet të ndërtojmë së bashku dhe bashkë t’i zgjidhim problemet. Valixhet që largohen nuk kanë kombësi. Njerëzit po ikin, fshatrat po zbrazen, dhe kjo ndodh me maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët e boshnjakët. Ky është mesazhi më i qartë për ata që mbi 20 vite manipulojnë duke thënë se punojnë për popullin, por që në të vërtetë e ndajnë atë”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, gara politike nuk duhet të jetë kush shfaqet më radikal apo kush ngre më lart flamurin e nacionalizmit, por kush ofron zgjidhje konkrete. “Beteja sot është të zgjidhim problemet reale, të sigurojmë kushte më të mira për jetesë, punë dhe prosperitet për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike. Nuk ka demokraci të vërtetë pa besim dhe nuk ka shtet funksional pa barazi. Ky është parimi që udhëheq qeverinë tonë, të ndërtojmë një shoqëri që e sheh diversitetin si pasuri, jo si pengesë” tha Mickoski.
MEXHITI: FRYMA E OHRIT GJALLË NË POLITIKAT E SOTME QEVERITARE
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, në fjalimin e tij në seancën ceremoniale të Qeverisë tha se 24 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, këtë marrëveshje nuk e kujtojmë vetëm një dokument që i dha fund një konflikti, por si vizion politik dhe institucional mbi të cilin ndërtohet shteti.Aie quajti Marrëveshjen e Ohrit një proces të gjallë që duhet zbatuar çdo ditë përmes ligjeve të drejta dhe institucioneve gjithëpërfshirëse, ndërsa kujtoi se Marrëveshja e Ohrit është themeli mbi të cilin u ndërtua një qasje e re ndaj shtetit
“Ohri nuk është vetëm kujtim, por një proces që çdo ditë duhet ta kthejmë në ligje të ndershme dhe politika që u shërbejnë qytetarëve. Duhet ta ruajmë këtë marrëveshje si një gur të çmuar politik e moral dhe ta zbatojmë me përkushtim e vizion. Vetëm kështu Maqedonia e Veriut mund të jetë një shtet i drejtë, i barabartë dhe prosperues për të gjithë. Barazia, përfshirja dhe drejtësia janë elementë të pandashëm të funksionimit demokratik. Po ndërtojmë një administratë multietnike ku përfaqësimi nuk është vetëm statistikë, por vlerë e shtuar për efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve.” tha Mexhiti.
Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, Mexhiti tha se kjo nuk është ndalur, pavarësisht sfidave ligjore: “Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike nuk është shfuqizuar. Po punojmë ta forcojmë atë, edhe në kushtet kur ligji aktual është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. Paralelisht po zbatojmë politika gjithëpërfshirëse në arsim dhe kulturë që pasqyrojnë mozaikun tonë shoqëror”. Mexhiti njoftoi se së shpejti në Parlament do të shqyrtohet ligji për përfaqësim të drejtë, i cili synon ta kthejë barazinë nga koncept formal në realitet praktik.
AHMETI: TRIMËRIA PAS LUFTËS E URTËSIA PAS KUVENDIT NUK VLEN
Ndërkohë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti u është drejtuar qytetarëve nëpërmjet një deklarate që e ka bërë publike nëpër rrjete sociale. Ahmeti i cilësoi të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit si të paprekshme dhe të pandashme nga vetë themeli i shtetit. “Para 24 vitesh, shqiptarë e maqedonas ia shtrinë dorën njëri-tjetrit për të ndërtuar një Maqedoni të re, të barabartë dhe të integruar në NATO e BE, përmes një marrëveshjeje të garantuar nga SHBA dhe BE. Ndryshuam kushtetutën, miratuam përdorimin e gjuhës shqipe, flamurin kombëtar, arsimin e lartë, përfaqësimin e drejtë dhe shumë ligje të tjera. Ndërtuam universitete, shkolla, spitale, infrastrukturë dhe institucione të reja. Drejtuam Parlamentin, të gjitha ministritë dhe kulmuam me Kryeministrin e parë shqiptar”, tha Ahmeti.
Sipas tij, këto arritje u bënë bashkë me të gjitha partitë maqedonase dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke siguruar anëtarësimin në NATO dhe nisjen e bisedimeve për BE. Megjithatë, Ahmeti vuri në dukje rrezikun, që sipas tij, momentalisht po i kanoset frymës së Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa paralajmëroi oponentët politik, që të jenë syçelë ndaj politikave me interes kombëtarë, e jo të veprojnë në bazë të interesit personal dhe të bëhen pjesë e retorikës për politika ditore.
“Revizioni i këtyre arritjeve nuk na lejohet neve që jemi autorë, firmëtarë dhe zbatues të Marrëveshjes së Ohrit. Duhet të prijmë si burrështetas, pa kalkulime populiste e afatshkurtra. Atyre që nga ekrani mësuan historinë dhe që nuk kanë dhënë asnjë kontribut, u them se trimëria pas luftës dhe urtësia pas kuvendit nuk VLEN”, u shpreh Ahmeti. Ai më tej bëri thirrje për bashkim politik dhe kombëtar: “Të bëhemi bashkë si kurrë më parë, jo hyzmeçarë e qiraxhinj, por krenarë e të përkushtuar për dinjitet kombëtar. O sot, o kurrë! Çereku i shekullit të Marrëveshjes së Ohrit duhet të na gjejë ballë-lartë, jo të përkulur e të nënçmuar”, ka thënë Ahmeti në deklaratën e tij.
BDI: MARRËVESHJA E OHRIT, TRASHËGIMI E PËRBASHKËT DHE GARANCI E BARAZISË
Në 24 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimi Demokratik për Integrim kujton ditën historike kur shqiptarë e maqedonas vendosën t’i japin fund luftës dhe të ndërtojnë një shtet të përbashkët mbi barazi, stabilitet dhe integrim euro-atlantik. Ky dokument i garantuar nga SHBA dhe BE ndryshoi përfundimisht rrjedhën e vendit tonë. “Në këto dy dekada e gjysmë, me punë dhe përkushtim u ndryshua kushtetuta, u sigurua përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, u afirmuan simbolet kombëtare, u ndërtuan universitete, shkolla, spitale e infrastrukturë moderne. Shqiptarët u përfaqësuan në të gjitha institucionet, duke arritur deri te posti i Kryeministrit të parë shqiptar, një premtim i realizuar me vepra, jo vetëm me fjalë”.
BDI, thuhet në komunikatë, kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në anëtarësimin e vendit në NATO dhe në hapjen e negociatave me Bashkimin EVropian. Nga këto arritje fitoi gjithë shteti, nuk humbi askush.
“Si autorë dhe zbatues të Marrëveshjes së Ohrit, ne nuk do të lejojmë revizion të saj apo tentime për t’i zhvlerësuar të arriturat e përbashkëta. Populizmi afatshkurtër dhe lojërat elektorale nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë e burrështetasve që mendojnë për të ardhmen e vendit. Ata që nuk kanë dhënë asnjë kontribut kombëtar dhe sot shfaqen si gjykatës të historisë, nuk mund të vendosin mbi sakrificat dhe fitoret e popullit tonë. Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e askujt, por trashëgimi e përbashkët dhe garanci e barazisë së qytetarëve. Sot, më shumë se kurrë, është koha të qëndrojmë bashkë, të lidhur pas rrënjëve tona, jo pas interesave të ngushta. Vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë dinjitetin kombëtar dhe të sigurojmë që çereku i shekullit të Marrëveshjes së Ohrit të na gjejë krenarë, jo të përkulur”.
Përndryshe më 13 gusht 2001, në qytetin e Ohrit, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë, e arritur pas disa muajsh përleshjesh mes forcave të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Dokumenti parashikoi ndryshime të thella kushtetuese dhe ligjore, duke garantuar përfaqësim të barabartë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në institucionet shtetërore, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në nivel qendror dhe lokal, si dhe decentralizimin e pushtetit. Marrëveshjen e nënshkruan presidenti i atëhershëm Boris Trajkovski, kryeministri dhe kryetari I VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, i PPD-së, Imer Imeri dhe i PDSH-së Arbën Xhaferi, në prani të ndërmjetësuesve ndërkombëtar Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.(koha.mk)