Lajme

Rama tradhtar, lavde për Mickoskin

Ajo që bie në sy është se – postimet që e portretizojnë Ramën në mënyrë tepër negative, përdorin një gjuhë të ashpër, shpesh fyese dhe të mbushur me etiketime si “tradhtar”, “i shitur”, apo edhe “përfaqësues i interesave të huaja”. Madje, në disa raste, shigjetat drejtohen edhe ndaj përfaqësuesve diplomatikë të Shqipërisë në Shkup, konkretisht ndaj ambasadorit Denion Meidani, i cili quhet “spiun i BDI-së”. Mickoski ndërkohë paraqitet si një “shpëtimtar” që ka rikthyer shpresën te shqiptarët në këtë shtet

Shkup, 28 korrik – Në një klimë gjithnjë e më të ndezur politike në Maqedoninë e Veriut, rrjetet sociale janë shndërruar në një arenë akuzash të forta dhe përplasje narrative mes figurave politike shqiptare dhe qëndrimeve të ndryshme ndaj liderëve në rajon. Prej disa ditësh, një valë postimesh dhe komentesh virale në Facebook dhe TikTok po portretizon kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si “tradhtar”, ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paraqitet si një “shpëtimtar” që ka rikthyer shpresën te shqiptarët në këtë shtet.

Postimet, kryesisht në gjuhën shqipe dhe të shkruara në dialektin tetovar, e cilësojnë Ramën si një figurë që ka “braktisur interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, duke kritikuar afërsinë e tij me partitë shqiptare, veçanërisht me BDI-në. Paralelisht, si asnjëherë më parë, shumë prej këtyre zërave shfaqin simpati dhe mbështetje të theksuar për liderin e VMRO-DPMNE-së, njëherësh kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Ajo që bie në sy është se – postimet që e portretizojnë Ramën në mënyrë tepër negative, përdorin një gjuhë të ashpër, shpesh fyese dhe të mbushur me etiketime si “tradhtar”, “i shitur”, apo edhe “përfaqësues i interesave të huaja”. Madje, në disa raste, shigjetat drejtohen edhe ndaj përfaqësuesve diplomatikë të Shqipërisë në Shkup, konkretisht ndaj ambasadorit Denion Meidani, i cili quhet “spiun i BDI-së” në disa profile anonime në TikTok.

Nga ana tjetër, Mickoski, një figurë që për dekada është parë si pjesë e një partie që ka pasur marrëdhënie të tensionuara me shqiptarët, tani paraqitet si “luftëtar kundër korrupsionit”, “lider i drejtësisë” dhe si “shpresa e re për shqiptarët e Maqedonisë”. Kjo përmbysje e perceptimeve publike shoqërohet me video-montazhe, ku Mickoski shihet përkrah figurave shqiptare si kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, dhe deputeti i Lëvizjes BESA, Adnan Azizi.

Shumë nga postimet që qarkullojnë në rrjetet sociale – kryesisht në TikTok – duket se menaxhohen nga individë të afërt me strukturat e partisë opozitare shqiptare VLEN, përkatësisht me Lëvizjen BESA dhe kryetarin e saj, Bilall Kasami. Një nga profilet më aktive në këtë fushatë është ai me emrin “Ndërgjegjja”, i cili në dhjetëra video promovon edhe figurën e Jakup Kasamit – shefi i sigurimit të kryetarit të Tetovës, Adnan Azizit – i quajtur edhe me emrin “Komandant Hoxha”, si dhe vetë Bilall Kasamin, të cilët paraqiten si “mbrojtës të interesave kombëtare”.

Ajo që tërheq vëmendjen është përzierja e simbolikës kombëtare me mbështetje për liderin maqedonas. Në shumë prej videove, Mickoski paraqitet me këngë patriotike shqiptare në sfond, ndërsa përmendja e tij në kontekstin e “shpëtimit të shqiptarëve” është një narrativë që po shtyhet fort nga këto burime. Tronditëse janë edhe pëlqimet në këto postime që, në të shumtën e rasteve, madje bëhen edhe nga zyrtarë dhe figura kyçe të koalicionit shqiptarë në Qeveri. Dhe, për më tepër, përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj Ramës dhe përfaqësuesve të tjerë të shtetit shqiptar ka ngjallur shqetësime për ndërhyrje të mundshme nga aktorë të jashtëm, përfshirë rrjete që shfrytëzojnë tensionet e brendshme politike për qëllime destabilizuese.

Ndërsa përplasjet politike janë të zakonshme në Ballkan, ajo që ndodh aktualisht në Maqedoninë e Veriut rreth figurës së Edi Ramës dhe Hristijan Mickoskit tregon një lëvizje të re – të paqartë dhe potencialisht të rrezikshme në diskursin politik shqiptar. Nëse këto janë shenja të një pakënaqësie të vërtetë me elitën shqiptare, apo pjesë e një manipulimi më të madh për të përçarë opinionin publik, mbetet për t’u parë. Një gjë është e sigurt: rrjetet sociale janë shndërruar në mjetin më të fortë për të ndikuar perceptimet, e ndonjëherë edhe për t’i përmbysur plotësisht ato. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png