Lajme

Ku po na çon lufta e pa mëshirë ndaj të varfërve?

Shkruar nga Gjergj Zefi

Kur Amerika braktis të varfrit, e gjithë bota duhet të alarmohet…

Në një akt që duhet të hyjë në historinë moderne të cinizmit shtetëror, Presidenti Donald Trump ka firmosur më 4 korrik 2025 ligjin që ai e quan “One Big, Beautiful Bill”, një projektbuxhet që shkurton 930 miliardë dollarë nga Medicare dhe Medicaid dhe lë pa sigurim shëndetësor mbi 17 milionë amerikanë. Ky nuk është thjesht një ligj ekonomik, është një manifest politik kundër shtresave më të pambrojtura të shoqërisë.

Nëse një buxhet është siç thuhet “dokument moral”, atëherë ky është dokumenti i një morali të kalbur. Me këto masa, SHBA e vitit 2025 kthehet në një epokë ku varfëria ndëshkohet, ku e drejta për kujdes shëndetësor shihet si luks, dhe ku miliona qytetarë do të duhet të punojnë jo për jetesë, por për mbijetesë.

Kjo nuk është risi, lufta ndaj të varfërve në Amerikë ka qenë gjithmonë aty, e kamufluar si politikë fiskale, si “reformë” apo “përgjegjësi individuale”. Por Trump ka hequr çdo maskë. Ai nuk e nisi këtë luftë, por po e çon në një ekstrem që të kujton epokat më të errëta të laissez-faire-it amerikan.

Historikisht, figura si Henry Ford dhe Ronald Reagan e kanë kundërshtuar ndihmën sociale. Por asnjëri nuk ka guxuar të godasë kaq hapur e me arrogancë mbështetjen minimale për më të dobëtit. Trump e sheh këtë si një triumf të politikës së tij elitare dhe të pandjeshme, ndërsa bashkëpunëtorët e tij në Kongres e quajnë “epokë të re të artë”.

Në të vërtetë, kjo është një epokë turpi.

Kjo situatë nuk është vetëm çështje amerikane. Mesazhi që dërgon kjo lëvizje në gjithë botën është i rrezikshëm: shteti nuk ka më përgjegjësi për qytetarët. Në një kohë kur krizat globale; ekonomike, klimatike dhe shëndetësore po rriten, ideja që qeveritë tërhiqen nga garantimi i të drejtave bazë është rrënim.

Për Ballkanin, për Shqipërinë, për çdo vend në zhvillim që merr frymë nëpërmjet shembullit amerikan, ky është një sinjal alarmi: neoliberizmi ekstrem nuk sjell përparim, por destabilizim social. Kur udhëheqësit tanë flasin për “reforma si në Amerikë”, le ta kujtojmë këtë moment. Të jesh i varfër në Amerikën e Trumpit do të thotë të jesh i padukshëm.

Në këtë kuptim, ky editorial është më shumë se një kritikë. Është një thirrje për të reflektuar, si votues, si qytetarë, si njerëz. Sepse ajo që ndodh sot në SHBA është një provë generale për të nesërmen tonë.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png