Lajme

Shqipëria dhe Maqedonia, aty ku jetohet më keq

Pas Shqipërisë, Maqedonia e Veriut është vendi me cilësinë më të keqe të të jetuarit në rajon. Sipas raportit të fundit nga platforma ndërkombëtare Numbeo për gjysmën e parë të vitit 2025. Indeksi i Cilësisë së Jetës, që i vlerëson vendet sipas tetë komponentëve fuqisë blerëse, kostos së jetesës, sigurisë, shëndetësisë, strehimit, trafikut, ndotjes dhe klimës, e rendit Maqedoninë (në vendin e 34 mes 37 shteteve) po ashtu ndër vendet më të këqija në Evropë, pas Shqipërisë, Rusisë dhe Ukrainës, me një indeks prej 123.5.

Cilësia më e mirë e të jetuarit është në Luksemburg me një indeks prej 218.2, e pasuar nga Holanda, Danimarka, Zvicra….. Këto vende pozicionohen vazhdimisht në krye falë fuqisë së lartë blerëse, sistemeve të zhvilluara të kujdesit shëndetësor, sigurisë së lartë publike, niveleve të ulëta të ndotjes dhe infrastrukturës efikase. Ndërsa Maqedonia ruan të njëjtin vend, si edhe vitin e kaluar, duke mos arritur të avancojë pozicionin e saj sa i takon cilësisë së jetës.

Çfarë e bën jetën më të keqe në Maqedoni? E para është ndotja, ku renditet si vendi me indeksin më të lartë të ndotjes në Evropë – 79.2. Kosto e jetesës, përballimi i shpenzimeve, po ashtu është më e ulëta mes vendeve të rajonit ( 33.6), por edhe në Evropë, ku më keq se Maqedonia janë vetëm Bjellorusia dhe Ukraina. Fuqia blerëse është po ashtu e ulët, që do të thotë që të ardhurat reale nuk mbulojnë koston e jetesës, pak më e lartë sesa në Shqipëri dhe Serbi që pozicionohen më keq në rajon.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të lartat në rajon, pavarësisht se vendi është ndër më të ulëtit në Evropë për sa i përket të ardhurave për frymë dhe një familje shqiptare shpenzon afro gjysmën e buxhetit për ushqim, krahasuar me mesataren evropiane prej 13 për qind. Sa i takon indeksit të kujdesit shëndetësor më i keqi në Evropë dhe rajon është Shqipëria, Bosnja ndërsa Maqedonia renditet e teta. Ky indeks merr në konsideratë disa faktorë, siç janë cilësia e përgjithshme e sistemit të kujdesit shëndetësor; përgatitja dhe profesionalizmi i personelit mjekësor; shpejtësia e shërbimit në situata emergjente…

Ky indeks është perceptues dhe nuk përfaqëson matje zyrtare nga institucionet e kujdesit shëndetësor ose agjencitë qeveritare. Megjithatë, ai ofron një pamje krahasuese të përvojës së kujdesit shëndetësor të qytetarëve në vendin e tyre. Raporti i çmimeve të pronave me të ardhurat është gjithashtu ndër më të këqijtë në Evropë. Ky raport mat përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti dhe tregon se sa vite të ardhura neto familjare nevojiten për të blerë një apartament mesatar. Më keq pozicionohet Shqipëria, ku një familjeje shqiptare i duhen 16.3 vjet, koha më e gjatë në Evropë, ndërsa në Maqedoni 12.2 vite.

Për dallim nga vendet si Danimarka dhe Belgjikë, vende të renditura ndër më pak të shtrenjtat për sa i përket fuqisë blerëse, duhen përkatësisht 6.1 dhe 6.8 vjet. Të dhënat mblidhen nga përdoruesit e platformës dhe burime të tjera zyrtare dhe përditësohen në kohë reale për të pasqyruar perceptimin dhe realitetin ekonomik dhe social të secilit vend. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png