Lajme

Kush do ta rrëzojë regjimin e Teheranit?

Në Iran ekzistojnë disa grupe të tjera të vjetra opozitare që veprojnë njëlloj si mbështetësit e Pahlavit.

Nga jashtë Iranit, grupet opozitare kryesorë janë ish-monkarkistët e dinstisë Pahlavi dhe muxhahedinët e MEK. Ndërsa brenda vendit ekzistojnë dhjetëra rryma opozitarësh, që janë të përçarë si midis tyre ashtu edhe me diasporën iraniane.

Mbetet të shihet do të respektohet nëse armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit. Gjithsesi nuk kemi parë fundin e operacioneve të fshehta të Izraelit në Iran. Pyetjet në lidhje me ndryshimin e regjimit, për të cilat është folur shumë gjatë 2 javëve të fundit, ka të ngjarë të mbeten në axhendë.
Republika Islamike është tronditur, prandaj ia vlen të pyesim: cilat janë forcat opozitare në vend, sa të organizuara janë ato, dhe a mund të bashkohen shpejt për të pasur një ndikim vendimtar në zhvillimin e ngjarjeve? Për momentin, vëmendja e medias është përqendruar tek mbështetësit e Reza Pahlavi-t, trashëgimtarit të fronit të monarkisë që u rrëzua nga revolucioni i vitit 1979. Klani Pahlavi mbështetet hapur nga kryeministri izraelit Netanyahu dhe në këmbim, ai e mbështeti sulmin e Izraelit.

Po ashtu, ai ka mbështetjen e amerikanëve, dhe jo vetëm sepse Reza jeton në SHBA dhe ka lobuar në mënyrë aktive te politikëbërësit dhe kongresmenët amerikanë. Pjesa më e madhe e diasporës iraniane përbëhet nga njerëz që janë të lidhur me monarkinë në një mënyrë ose në një tjetër, ndaj nuk është çudi që Pahlavi ka mbështetje midis tyre. Por ajo që ka rëndësi është sa mbështetje gëzon Pahlavi brenda Iranit, një pyetje shumë më e vështirë për t’iu përgjigjur. Gjatë protestave të viteve 2022-2023, mbështetësit e Pahlavi ishin aktivë dhe të dukshëm. Por edhe simpatizantët e tyre jashtë Iranit e pranojnë se ata janë të organizuar dobët, teksa vetë Reza ka një karrierë modeste si menaxher dhe udhëheqës.
Po ashtu, ata janë të përçarë nga brenda, midis nostalgjikëve për monarkinë e vjetër autoritare, dhe atyre që mbështesin kursin e ri të shpallur nga Reza në vitin 2011, i cili e lë të papërcaktuar çështjen e restaurimit të monarkisë dhe premton një qeveri liberale, demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Ndërsa kursi i ri i Reza-s, i ka bërë Pahlavit dhe mbështetësit e tyre më të pranueshëm si partnerë për grupet e tjera të opozitës, ka ende shumë forca kundër Ajatollahëve që nuk u besojnë atyre apo që e shprehin hapur kundërshtimin.
Ata mund të jenë të gatshëm të pranojnë të bashkëpunojnë me ta, vetëm për shkak të perceptimit, se kjo mund të jetë e vetmja rrugë për të fituar mbështetjen e jashtme që mund të kërkohet, për të pasur tek e fundit ndonjë shans për përmbysjen e regjimit.

Ndërkohë, në Iran ekzistojnë disa grupe të tjera të vjetra opozitare që veprojnë njëlloj si mbështetësit e Pahlavit. Pra paksa nën sipërfaqe, pa ndonjë strukturë të vërtetë nëntokësore (ose të paktën, kjo është mënyra se si veprojnë sipas Gardës Revolucionare). Midis tyre ka grupe të ndryshme të frymëzuara nga figura e Mohammad Mossadeq, kryeministrit të rrëzuar në vitin 1953 përmes një grushti shteti që supozohet se u mbështet nga Britania dhe SHBA-ja, dhe që pastaj çoi në rivendosjen e monarkisë absolute. Më të rëndësishmet nga këto lëvizje janë Jabhe Milli (Fronti Kombëtar) dhe Nezhat Azadi Iran (Lëvizja për Lirinë e Iranit). Megjithëse nuk duket se ndonjëra prej tyre ka ndikim jashtë disa qarqeve të zgjedhura intelektuale. E njëjta gjë vlen edhe për grupet e ndryshme që u shkëputën nga Republika Islamike, siç është Sazman Mujahidin Enqelab Islami Iran (Organizata e Muxhahedinëve të Revolucionit Islamik të Iranit), një grupim i majtë-islamik që u nxor jashtë ligjit në vitin 2009.

Më me ndikim duket të jetë Lëvizja e Gjelbër reformiste, protagoniste e protestave të vitit 2009. Aparati i sigurisë i Republikës Islamike i monitoron këto grupe, por deri më tani s’ka ka bërë ndonjë përpjekje të dukshme për t’i zhdukur ato.
Pastaj janë mbetjet e së majtës së vjetër, e cila nuk rrëmbeu armët kundër Khomeinistëve në fillim të viteve 1980, por që gjithsesi u shpall e jashtëligjshme. Nga këto grupe, Tudeh (Partia Komuniste) mund të ketë rrjetet më të mëdha të fshehta me ndoshta 2.000 anëtarë.

Por ashtu si me grupet e tjera të përmendura më sipër, regjimi i monitoron dhe nuk duket shumë i shqetësuar për kërcënimin që mund të përfaqësojnë. Një segment i “opozitës së vjetër”, që ka qenë prej kohësh gati të bashkohet me amerikanët – dhe që mund të pranojë mundësinë e bashkëpunimit të fshehtë me izraelitët, megjithëse jo me Pahlavin – janë Muxhahedinët-e-Khalq (MEK), grupi më aktiv dhe i dhunshëm i opozitës kundër Republikës Islamike në fillim të viteve 1980, përpara se të shtypej dhe të detyrohej të ikte në Irak, ku u bashkua me Sadam Huseinin deri në fund të luftës Iran-Irak.

MEK nuk ka pasur ndonjë prani të armatosur brenda Iranit për më shumë se 30 vjet (përveç ndoshta një përpjekjeje jetëshkurtër në vitin 2022), por IRGC vlerësoi në vitin 2019 se ata kanë brenda Iranit rreth 3.000 anëtarë. Mijëra të tjerë, gjenden në mërgim jashtë vendit. Të gjitha këto grupe, konkurrojnë për mbështetjen e rreth 60 për qind të iranianëve që janë folës të persishtes. Duket se nuk ka ndonjë grup të rëndësishëm opozitar të organizuar dhe aktiv midis pakicës kryesore të vendit, azerëve (16 për qind). Ndërkohë ekziston një traditë e gjatë e kundërshtimit të qeverisë qendrore nga pakicat më të vogla, siç janë kurdët dhe baluçët. Kurdët kanë një prani të madhe midis popullsisë sunite kurde dhe krenohen me një numër grupesh të armatosura me bazë në Irak.

Midis tyre, dy grupet që kanë luftëtarët më të përgatitur janë PAK (Partia Azadi e Kurdistanit) dhe PJAK (Partia e Jetës së Lirë e Kurdistanit) me mbi 3000 luftëtarë. Burime izraelite, thonë se disa grupe kurde i janë drejtuar Jerusalemit për mbështetje dhe janë gati të marrin pjesë në një kryengritje. Por nuk është e qartë nëse ndihma izraelite është e realizueshme, as nëse amerikanët do të donin të përfshiheshin në një operacion të hapur për ndryshimin e regjimit. Po ashtu, ekzistojnë disa grupe baluçe aktive kundër Republikës Islamike, por shumica e tyre duket se janë më të shqetësuara për kontrabandën sesa për luftimet. Ai që duket se ka aftësi të konsiderueshme ushtarake është grupi islamik Jaysh Al-Adl, anëtarët e të cilit
nuk e fshehin lidhjen e tyre me Izraelin.

Një tjetër grupim opozitar aktiv në Iran është Shteti Islamik. Kohët e fundit, Izraeli e ka pranuar se e mbështet degën e grupit terrorist në Gaza, ndaj nuk është e pamundur diçka e ngjashme në Iran. Por ISIS, që dikur ka qenë në gjendje të kryente disa sulme terroriste brenda Iranit, do të ishte pak i dobishëm në çdo lloj përpjekje për të nxitur ndryshimin e regjimit në Teheran, dhe pak grupime opozitare do të donin të bashkëpunonin me të.

Në këto kushte, ka më shumë gjasa të shohim një kolaps të regjimit nga brenda, në vend të ndonjë revolucioni të ri. Për momentin nuk ka shenja se forcat e sigurisë po e humbasin kohezionin e tyre, por presioni izraelit dhe ai amerikan për bombardime të reja, dhe kriza e rëndë ekonomike mund ta ndryshojnë situatën.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png