Paqja e brishtë mes Izraelit dhe Iranit ka rikthyer vëmendjen ndërkombëtare te pasiguria që mbizotëron në majat e pushtetit në Teheran. Por përtej raketave dhe kërcënimeve ushtarake, në Iran po zhvillohet një revolucion më i heshtur, nga rrugët dhe qelitë e burgut brenda vendit.
Kjo rezistencë nuk përbën kaos, por një lëvizje e organizuar dhe me vizion të qartë demokratik.
Është koha që bota ta njohë për atë që është: një forcë legjitime që synon një Iran të lirë, të ndarë nga teokracia e dhunshme që e ka sunduar për dekada. Dhe më e rëndësishmja, kjo rrugë nuk kalon përmes ndërhyrjes së huaj, por përmes guximit të vetë popullit iranian.
Teokracia iraniane është tronditur nga themelet, jo vetëm për shkak të sanksioneve, por nga kalbëzimi i brendshëm: korrupsioni i përhapur, keqmenaxhimi ekonomik dhe shtypja brutale e çdo kundërshtimi.
Që nga viti 2017, Irani ka parë tri kryengritje madhore popullore, secila më e madhe dhe më sfiduese se tjetra. Protestat e vitit 2022, të shkaktuara nga vrasja e Mahsa Aminit, ishin një akt refuzimi ndaj një regjimi që sundon me frikë, jo me legjitimitet.
Sot, ndërsa ata në pushtet përpiqen të ndezin konflikte jashtë vendit për të mbjellë ndjenjë patriotike, përpjekja e tyre po dështon. Brezi i ri e sheh qartë se izolimi ndërkombëtar dhe varfëria e brendshme nuk janë rezultat i “armiqve të jashtëm”, por i një regjimi të konsumuar nga ideologjia dhe represioni.
Në qendër të kësaj rezistence qëndron Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), një koalicion që promovon një republikë laike e demokratike. Nën udhëheqjen e Maryam Rajavit, e cila së fundmi foli në Parlamentin Europian, NCRI paraqet një plan të qartë për të ardhmen: zgjedhje të lira brenda 6 muajve, një kushtetutë e re demokratike dhe barazi gjinore e etnike.
Krahu i saj më aktiv, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), ka luajtur rol vendimtar në organizimin dhe mbështetjen e protestave kombëtare përmes Njësive të Rezistencës.
Slogani i tyre, “Poshtë diktatori, qoftë ai Shah apo Udhëheqës Suprem”, e tregon qartë se kjo nuk është një kthim pas në histori, por një marshim drejt së ardhmes.
Por kush do ta pasojë Ali Khamenein?
Ky është një moment kyç. Regjimi nuk po kërkon vetëm vazhdimësi, por edhe mbijetesë.
Në prapaskenë po përflitet emri i Mojtaba Khamenei (djali i liderit). Megjithatë, nëse revolucioni popullor e pret në mes jetën e këtij regjimi, trashëgimtari i vërtetë do të zgjidhet vetëm nga populli.
Perëndimi është përballë një zgjedhjeje historike: të përkrahë popullin iranian dhe alternativën e tij demokratike, apo të përsërisë gabimet e së kaluarës duke imponuar zgjidhje nga jashtë.
Koha e diktatorëve po mbaron. Tani lind pyetja: kush do ta udhëheqë Iranin e së ardhmes?