Cilido qoftë rezultati i negociatave tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, të cilat janë ende në zhvillim, disa elementë po bëhen të qartë. I pari është se bullizmi i Donald Trump funksionon në Europë. Nuk ka funksionuar me Kanadanë e Justin Trudeau apo të Mark Carney, që i detyruan SHBA-të të tërhiqeshin nga disa masa.
Nuk ka funksionuar me Kinën e Xi Jinping, që u kundërpërgjigj me rritje të tarifave doganore, kufizime në eksportin e lëndëve të rralla dhe e detyroi Shtëpinë e Bardhë të pranonte një marrëveshje shumë më të balancuar. Nuk ka funksionuar as me tregjet financiare, të cilat reaguan keq ndaj nismave të “Ditës së Çlirimit” dhe detyruan presidentin të tërhiqej në mënyrë të turpshme.
Por me Europën, “PO”, intimidimi i Trump funksionon në mënyrë të përsosur. Fillimisht, presidenti amerikan e shtyu Europën, në kuadër të NATO-s, drejt një rritjeje të shpenzimeve për mbrojtjen, në përqindje më të lartë ndaj PBB-së sesa ajo që vetë SHBA-të e zbatojnë. Nënteksti është i qartë: industria europiane e mbrojtjes nuk do të arrijë të përballojë një rritje kaq të fortë të porosive dhe për pasojë, kompanitë amerikane si Lockheed Martin, Raytheon-RTX, Boeing e të tjerë, do të përfitojnë nga një rritje e konsiderueshme e të ardhurave në Europë.
NATO, armët dhe përfitimet për industrinë amerikane
Duhet theksuar edhe një faktor tjetër, megjithëse jo vendimtar. Shtete si vendet baltike, Polonia, Rumania, Finlanda dhe Danimarka, të cilat ndihen të rrezikuara nga Rusia, kanë qenë të lëkundura për të mbështetur masa hakmarrëse europiane ndaj tarifave të reja amerikane. Arsyeja: frika se një përplasje tregtare me SHBA-të do të vinte në rrezik garancitë amerikane për sigurinë në Europë.
Në këtë mënyrë, negociatat tregtare janë ndërlidhur ngushtë me ato ushtarake. Kjo i ka hapur rrugë Trump-it të zgjerojë presionin në fusha të tjera. Ai e kuptoi se vendet eksportuese më të mëdha të BE-së, si Gjermania dhe Italia, ishin të trembura nga hakmarrja e Brukselit për tarifat ekzistuese dhe vazhdoi të rrisë kërkesat e tij.
Tarifat e vendosura që nga prilli nuk janë të vogla: tarifa mesatare për produktet europiane u rrit nga 2.2% në 10%; për çelikun dhe aluminin, shumë të rëndësishëm për Italinë, arriti deri në 50%; për makinat: 25%. Dhe Trump kërcënon me rritje të reja deri në 50% për të gjithë eksportin europian nëse nuk kënaqet nga marrëveshja.
SHBA-të propozojnë tani një zgjatje të negociatave, pa aktivizuar për momentin rritjen 50%-she të tarifave, por vetëm nëse Europa nuk përgjigjet me të njëjtën masë. Ndërkohë, Uashingtoni përfiton nga kjo gjendje për të marrë dy lëshime të mëdha:
1. Dobësimi i ligjit europian për Big Tech: Akti për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act) në BE synon të mbrojë startup-et nga abuzimi i gjigantëve të Silicon Valley. Por në negociata, SHBA-tĽ duket se kanë arritur ta zbusin ndjeshëm këtë ligj.
2. Shmangia e taksimit ndërkombëtar për gjigantët amerikanë: Trump e ka detyruar G7-ën, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, të përjashtojë kompanitë amerikane nga Global Minimum Tax e OECD, e cila u miratua gjatë presidencës italiane të G20-s me kryeministër Mario Draghi. Nëse nuk pranonin, SHBA-të kërcënonin të vendosnin tatime shtesë për fitimet e investitorëve europianë në bursat amerikane.
Kështu, kompanitë amerikane do të gëzojnë regjime fiskale më të favorshme sesa rivalët ndërkombëtarë dhe Jeff Bezos, për shembull, do të përfitojë shumë më tepër nga kjo situatë sesa shpenzimet për dasmën e tij madhështore në Venecia.
Konkluzioni: Europa hesht, Trump fiton
Bullizmi i Trump në Europë vazhdon të japë rezultat, dhe nga kjo anë e Atlantikut askush nuk guxon të reagojë. Përpiqemi vetëm ta qetësojmë.
Por, nëse ai sheh që kjo taktikë funksionon me ne, pse të ndalet? Siç thotë edhe populli: oreksi vjen duke ngrënë./Corriere della Sera