Lajme

Pelé kundër Maradonës: Historia e një miqësie që u shndërrua në armiqësi

Takimi i tyre i parë në Rio de Zhaneiro në vitin 1979 shënoi fillimin e një miqësie që shumë shpejt do të shndërrohej në rivalitet. Nga këshillat e Pelés për Maradonën e ri, te kritikat e para, triumfi i argjentinasit në Botërorin e vitit 1986 dhe polemikat për “Dorën e Zotit”, historia e dy legjendave të futbollit ndërthur egon, nacionalizmin, përplasjen e karaktereve dhe betejën për titullin e futbollistit më të madh të të gjitha kohërave…

Pelé dhe Diego Maradona u takuan për herë të parë në prill të vitit 1979, jo shumë kohë pasi argjentinasi kishte udhëhequr përfaqësuesen U-20 të vendit të tij drejt fazës finale të Kupës së Botës për të rinj. Maradona i kishte treguar një miku gazetar se ëndrra e tij ishte të takonte brazilianin. Pas disa javësh përpjekjesh të dështuara për t’i bërë bashkë, kryesisht sepse Diego nuk dëshironte të udhëtonte të hënën, e vetmja ditë e lirë që mund t’ia kushtonte të dashurës së tij, Claudia, takimi më në fund u zhvillua në Rio de Zhaneiro.

Gazetari Guillermo Blanco, i cili po përgatiste një artikull mbi takimin për revistën sportive argjentinase El Gráfico, kishte marrë miratimin e njerëzve të Pelés dhe ishte aq i vendosur për ta realizuar takimin, saqë një të diel në mbrëmje e regjistroi Maradonën për një fluturim pa i treguar fare. Ai e kapi të riun menjëherë pas ndeshjes së Argentinos Juniors kundër Huracánit, nxitoi drejt aeroportit dhe e hipi në avion së bashku me të atin, menaxherin dhe një fotograf.

Të nesërmen, grupi i vogël i argjentinasve shkoi në apartamentin e Alfredo Saadit në Copacabana, ku Maradona dhe Pelé biseduan për një orë rreth futbollit dhe jetës.

“Gjithçka shkoi për mrekulli. Biseduan, Pelé nxori kitarën, këndoi disa këngë, ishte vërtet bukur.  “Pastaj erdhi një moment kur biseda u bë disi më e thellë dhe Pelé nisi t’i jepte disa këshilla Diegos. E kapi për dore dhe filloi ta këshillonte: ‘Kujdesu për trupin tënd. Mos harro të stërvitesh gjithmonë. Mbi shpatullat e tua rëndon një përgjegjësi e madhe’. Ishte si një parandjenjë. Me gjithë përvojën e tij, Pelé po i paralajmëronte Diegos gjithçka që do t’i ndodhte më vonë”, kujtonte Blanco.

Pelé kundër Maradonës: Historia e një miqësie që

Përpara se të largoheshin, Pelé përqafoi të atin e Maradonës dhe i dhuroi të birit një top me autograf, një fanellë të Brazilit dhe një orë Pelé. Miqësia mes dy futbollistëve dukej se ishte vulosur.

“E dija se Pelé ishte një Zot si futbollist. Tani që e kam takuar, e di se është i tillë edhe si njeri”, tha Maradona.

Ata që ishin të pranishëm atë pasdite me diell në Rio nuk mund ta imagjinonin kurrë se si rrugët e dy burrave do të ndaheshin, do të kryqëzoheshin dhe do të përplaseshin, si sulmuesit e krahut dhe mbrojtësit anësorë, të vendosur për të mposhtur njëri-tjetrin. Admirimi i ndërsjellë mbijetoi edhe për disa vite, por kur marrëdhënia u prish, ajo u prish në mënyrë spektakolare dhe përplasjet e tyre pushtuan titujt e mediave në mbarë botën.

Shpesh i përshkruanin si rivalë, por ajo që ekzistonte në të vërtetë mes tyre ishte një marrëdhënie dashurie dhe urrejtjeje, e ushqyer nga nacionalizmi amerikanojugor dhe egot e tyre të jashtëzakonshme. Përplasjes i shtonin edhe më shumë intensitet nëntekstet moralizuese: e mira kundër së keqes, establishmenti kundër popullit, konformisti kundër rebelit. Ata ishin dy njerëz krejtësisht të ndryshëm dhe të gjithë zgjidhnin njërën anë. Maradona e përmblodhi në mënyrë të përkryer: “Jemi si vaji dhe uji.”

Çarjet e para në miqësinë e tyre u shfaqën tre vjet pas takimit në Rio, kur Pelé kritikoi paraqitjen e Maradonës në Kupën e Botës të vitit 1982. Braziliani kishte pranuar të shkruante një rubrikë që botohej në disa gazeta gjatë turneut dhe, ende pa nisur kompeticioni, parashikoi se Zico do të kishte një ndikim më të madh se Maradona. Me një fjali që do të krijonte përçarjen e parë mes tyre, ai vuri në pikëpyetje jo vetëm aftësitë e Maradonës, por edhe karakterin e tij.

“Dyshimi im më i madh”, shkruante Pelé, “është nëse Diego zotëron madhështinë e mjaftueshme si njeri për të përligjur nderimet që i bën publiku në mbarë botën.”

Skepticizmi i Pelés rezultoi plotësisht i justifikuar. Maradona humbi kontrollin në ndeshjen e fazës së dytë të Argjentinës kundër Brazilit dhe u përjashtua me karton të kuq, pasi goditi Batistën me takat e këpucës në minutat e fundit të humbjes 3-1. Disfata solli eliminimin e kampionëve në fuqi dhe Maradona, ashtu siç kishte parashikuar Pelé, nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e mëdha që ishin krijuar rreth tij.

Në rubrikën e tij të nesërmen, Pelé ia rëndoi edhe më shumë gjendjen, duke e cilësuar Maradonën si “një të ri të papjekur, i cili pothuajse nuk ka pasur ende kohë të shndërrohet në futbollistin e madh që shumë njerëz pretendojnë verbërisht se është”.

Për Maradonën, këto fjalë përbënin një tradhti. Ai e kishte konsideruar Pelén mik dhe aleat dhe nuk e harroi kurrë se braziliani ishte bërë një nga figurat e para të rëndësishme që kishin hedhur dyshime mbi talentin dhe karakterin e tij.

Vetë Maradona nuk ishte aspak një shembull besnikërie – ai u konfliktua pothuajse me të gjithë ata që e kishin dashur ndonjëherë – por kërkonte besnikëri absolute nga të tjerët dhe fyerja e Pelés e lëndoi thellë. Megjithatë, u desh kohë që zemërimi i tij të dilte në sipërfaqe.

Pelé kundër Maradonës: Historia e një miqësie që

Maradona ishte vetëm 21 vjeç dhe ende larg shndërrimit në superyllin triumfues që do të mahniste botën. Ai kishte mendimet e veta, por ende ngurronte t’i shprehte publikisht, i pasigurt se deri ku mund të arrinte vërtet. Vetëm pasi e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit të vitit 1986, egoja e tij shpërtheu dhe ai filloi t’u përgjigjej kritikëve. Pikërisht atëherë, pasi e gjithë bota u bashkua për ta shpallur trashëgimtarin e fronit të Pelés, ai nisi të sulmonte këdo që vinte në dyshim madhështinë e tij.

U desh pak kohë, por Pelé e kuptoi se çfarë po ndodhte dhe se duhej të reagonte. Ai nisi të mbronte trashëgiminë e tij dhe rivaliteti mes dy burrave mori jetë.

Për pothuajse të gjithë karrierën e tij, Pelé ishte konsideruar futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Rivalët kishin ardhur e ikur, por asnjëri nuk e kishte kërcënuar në mënyrë të qëndrueshme këtë titull të lakmuar. Futbollistë të brezit të tij, si Alfredo Di Stéfano, Eusébio dhe Johan Cruyff, zotëronin talentin e nevojshëm për të sfiduar supremacinë e tij, por as ata dhe as bashkëlojtarët e tyre nuk ishin mjaftueshëm të mirë apo të qëndrueshëm për t’i mbajtur skuadrat e tyre në majë për periudha të gjata, veçanërisht në arenën ndërkombëtare.

Maradona ishte ndryshe dhe Pelé e dinte këtë. Ai nuk ishte thjesht një futbollist gjenial, por luante edhe për një komb që prodhonte mjaftueshëm lojtarë cilësorë për ta ndihmuar të fitonte titujt që i nevojiteshin për t’u konsideruar vërtet i jashtëzakonshëm. Ç’është më e rëndësishmja, si pak futbollistë përpara apo pas tij, ai zotëronte një aurë të veçantë dhe dhuntinë për t’i bërë më të mirë lojtarët që kishte përreth.

Pelé kundër Maradonës: Historia e një miqësie që

Ai nuk fitoi kurrë asgjë i vetëm, siç shumë njerëzve u pëlqente të thoshin, por kur ishte në formë, bashkëlojtarët e tij ngriheshin në një nivel tjetër dhe së bashku formonin një skuadër që vlente më shumë sesa shuma e aftësive të tyre individuale.

Paraqitjet me të cilat Maradona e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës të vitit 1986 ishin aq të jashtëzakonshme, saqë Pelé filloi të vinte më shumë në pah arritjet e veta dhe të vinte në pikëpyetje, në mënyrë të tërthortë, ato të rivalit të tij.

Ndërsa pjesa tjetër e botës mahnitej nga mesia i ri i futbollit, Pelé pyeste me bezdi se si mund ta krahasonte dikush me një futbollist, goli më i paharrueshëm i të cilit ishte shënuar me dorë.

Rezervat e Pelés buronin si nga koncepti i tij për të drejtën dhe të gabuarën, ashtu edhe nga historia e gjatë e rivalitetit futbollistik mes dy kombeve. Triumfi i Argjentinës në Kupën e Botës të vitit 1986 ishte i dyti për të dhe tashmë argjentinasit kishin vetëm një titull më pak se Brazili, i cili i kishte fituar tre titujt e tij një brez më parë.

Hendeku mes tyre po ngushtohej dhe brazilianët ishin të shqetësuar. Ata besonin se ishin më të mirët në botë në të vetmen gjë që kishte vërtet rëndësi për ta dhe mendimi se fqinjët mund t’ua rrëmbenin këtë nder ishte i frikshëm, veçanërisht duke pasur parasysh mënyrën e diskutueshme me të cilën argjentinasit i kishin fituar të dy titujt.

Brazilianët i kishin konsideruar gjithmonë argjentinasit, në mos mashtrues të mirëfilltë, të paktën dinakë që kënaqeshin duke i tejkaluar kufijtë e së lejueshmes. Ishte një qëndrim i diskutueshëm, duke pasur parasysh se as brazilianët nuk ishin të panjohur me dredhitë në lojë. Kur argjentinasit i përdornin ato, brazilianët protestonin dhe i quanin mashtrim. Kur i përdornin vetë, buzëqeshnin dhe i quanin zgjuarsi.

Pelé kundër Maradonës: Historia e një miqësie që

Natyrisht, Maradona ishte një argjentinas tipik për nga aftësia për të kuptuar se kur dhe si mund t’i përthyente rregullat në favorin e tij. Por Pelén nuk e shqetësonte vetëm mashtrimi. Ajo që e shqetësonte ishte mënyra se si Maradona e kremtonte atë pa pikën e pendesës.

Dopingu, goli me dorë kundër Anglisë, alkooli dhe droga – Pelé i konsideronte të gjitha këto të pahijshme dhe të papërshtatshme, ndërsa blasfemia e Maradonës i bënte ato dyfish më të rënda në sytë e tij. Këmbëngulja për ta quajtur golin e parë kundër Anglisë “Dora e Zotit” fyente një njeri që e merrte seriozisht besimin e tij fetar. / “The Guardian“

3sgIgLJ.png