Pas raportimeve për fluturimin Beograd–Moskë me para dhe ar, një tjetër lëvizje e bujshme ngre pikëpyetje për rrethin e pushtetit serb. Zvonko Veselinoviç, biznesmeni i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania, raportohet se është larguar drejt Turqisë, ndërsa në Serbi po arrestohen biznesmenë dhe zyrtarë të lidhur me SNS-në.
Dikush drejt Moskës me valixhe plot para dhe ar, dikush tjetër drejt Stambollit në orët e para të mëngjesit. Ndërsa në Serbi po zhvillohen arrestime të njerëzve të lidhur me pushtetin, lëvizjet e figurave pranë rrethit politik të Aleksandar Vuçiçit po marrin gjithnjë e më shumë pamjen e një largimi të nxituar.
Pas raportimeve për fluturimin e dyshimtë të Aleksandër Vulin nga Beogradi drejt Moskës, një tjetër emër i njohur ka dalë në skenë: Zvonko Veselinoviç, një prej figurave më me ndikim në veri të Kosovës dhe njeri me lidhje të dokumentuara me rrethin e ngushtë të pushtetit serb.
Sipas medias investigative serbe KRIK, Veselinoviç është larguar mëngjesin e sotëm drejt Turqisë. Burimet e saj bëjnë të ditur se ai ka udhëtuar nga Sarajeva për në Stamboll, duke përdorur pasaportën serbe.
Largimi i tij vjen në një moment kur në Serbi po raportohen arrestime të biznesmenëve dhe zyrtarëve që kanë pasur lidhje me Partinë Progresive Serbe (SNS). Nuk është konfirmuar nëse Veselinoviç është objekt i ndonjë urdhër-arresti në kuadër të këtyre zhvillimeve, por koha e udhëtimit të tij ka tërhequr vëmendjen e medias serbe.
Veselinoviç nuk është një emër i panjohur në prapaskenat e pushtetit të Beogradit. KRIK ka dokumentuar prej vitesh lidhjet e tij me Andrej Vuçiçin, vëllain e presidentit serb. Në vitin 2015, media investigative publikoi fotografi të të dyve gjatë një takimi në një restorant në Kopaonik.
Emri i tij shfaqet edhe në komunikime të platformës së enkriptuar “Sky”, të publikuara nga KRIK. Sipas analizës së këtyre mesazheve, Veselinoviç përmendej në përpjekje për të ndikuar në emërimet e drejtuesve të policisë serbe dhe në ndarjen e kontratave shtetërore me vlerë miliona euro.
Lidhjet e tij me politikën dhe dyshimet për korrupsion kanë tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare. Në dhjetor 2021, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Veselinoviçit dhe Milan Radoiçiçit, duke i lidhur me veprimtari korruptive dhe ndikim mbi zyrtarët publikë. Një vit më vonë, edhe Mbretëria e Bashkuar e përfshiu Veselinoviçin në listën e sanksioneve për korrupsion serioz.
Në dokumente të policisë dhe shërbimeve serbe të sigurisë, të publikuara ndër vite nga KRIK, Veselinoviç është përshkruar si figurë me rol të rëndësishëm në një grup të dyshuar për trafik droge, armësh dhe nafte, fajde dhe pastrim parash. Emri i tij është përmendur gjithashtu në hetimet që lidhen me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, në janar 2018.

