Lajme

Jo vetëm të varfër, por më të varfrit në Evropë

Maqedonia e Veriut renditet e fundit mes 34 vendeve evropiane për të ardhurat mediane të familjeve ku jetojnë të rinjtë e moshës 18-24 vjeç. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, këto familje kanë të ardhura mediane të disponueshme prej vetëm 4.640 eurosh në vit. Shifra është më shumë se katër herë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila arrin në 21,482 euro në vit, por edhe më e ulët sesa të gjithë vendet e tjera të rajonit. Edhe sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), i cili merr parasysh ndryshimet në nivelet e çmimeve ndërmjet vendeve, Maqedonia e Veriut mbetet ndër vendet e fundit në Evropë, e parafundit, me 8,994 PPS, një vend më lart se Shqipëria që regjistron 8,175 PPS, ndërsa Mali i Zi 9,955 PPS.

Treguesi i Eurostat mat të ardhurat e familjeve pas tatimeve dhe zbritjeve të tjera, duke përfshirë edhe përfitimet sociale. Ai nuk tregon pagat personale të të rinjve, por të ardhurat e familjeve ku ata jetojnë. Dhe të ardhurat e kufizuara ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë e të rinjve për të përballuar shpenzimet e përditshme, për të marrë një banesë me qira dhe për të krijuar një jetë të pavarur. Për shumë prej tyre, mbështetja financiare e familjes mbetet e domosdoshme, ndërsa largimi nga shtëpia e prindërve mund të shtyhet për vite.

“Zvicra ka të ardhurat mesatare (medianën) e ekuivalentuara për familjet e të rinjve më të lartat, me 52.206 €. Pas saj vijnë Luksemburgu (43.028 €) dhe Austria (37.299 €). Ndër katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Gjermania ka të ardhurat më të larta, me 26.330 €. Italia (20.315 €) dhe Spanja (19.338 €) qëndrojnë nën mesataren e BE-së. Maqedonia e Veriut (4.640 €), e ndjekur nga Shqipëria (5.736 €) dhe Turqia (5.987 €), kanë të ardhurat mesatare (medianën) e ekuivalentuara më të ulëta për personat e moshës 18 deri në 24 vjeç. Në Bullgari (8.680 €), Hungari (8.576 €), Serbi (7.754 €) dhe Rumani (7.237 €), kjo shifër është gjithashtu më pak se gjysma e mesatares së BE-së”, citohet në një analizë të Euronews Business. Ajo i referohet protestave të javëve të fundit, në disa vende evropiane për shkak të rritjes së kostos së jetesës, banesave të papërballueshme, pagave të ulëta dhe presionit mbi shërbimet publike.

Sipas Forumit Europian të Rinisë, të ardhurat monetare nuk e tregojnë të gjithë panoramën e mirëqenies. Në disa vende, të rinjtë mund të duken më mirë ekonomikisht në statistika, sepse jetojnë më gjatë me prindërit dhe përfitojnë nga të ardhurat e përbashkëta familjare. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se kanë mundësi reale për të jetuar të pavarur.

“Paradoksi është se të rinjtë mund të duken më mirë ekonomikisht kur varen për më gjatë nga familjet e tyre, dhe më të varfër kur largohen për të jetuar të pavarur”, deklaroi sekretariati i Forumit Europian të Rinisë për Euronews Business.

Forumi Europian i Rinisë thekson se një jetë dinjitoze nuk mund të varet vetëm nga paga apo pasuria familjare, por kërkon edhe shërbime publike cilësore dhe të përballueshme, strehim, arsim, kujdes shëndetësor dhe mbrojtje sociale. “Një jetë dinjitoze nuk duhet të varet vetëm nga një pagë e mirë, apo nga mundësia për t’u mbështetur te pasuria e familjes. Ajo kërkon paga dinjitoze, krahas shërbimeve të forta publike që i bëjnë të përballueshme gjërat thelbësore”, theksoi sekretariati i Forumit Europian të Rinisë në deklaratën e cituar nga Euroneës Business. (koha.mk)

3sgIgLJ.png