Dënimet me burg ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së kanë shkaktuar kundërshtime në Kosovë dhe kanë ngritur pikëpyetje për provat dhe mënyrën si u zhvillua procesi. Çështja kryesore që shtrohet është proporcionaliteti i dënimeve…
Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shkaktuar kundërshtime të forta në Kosovë.
Më 16 shtator, Gjykata në Hagë shpalli fajtorë Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Trupi gjykues i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk provoi përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.
Në një analizë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ), gazetari Markus Ackeret shkruan se në Kosovë dënimet janë pritur me zemërim dhe trishtim. Një pjesë e opinionit kosovar i konsideron të padrejta dënimet e gjata ndaj personave që i sheh si figura të luftës çlirimtare kundër forcave serbe.
Kritikët i krahasojnë këto dënime edhe me ato që Tribunali për ish-Jugosllavinë në Hagë dha ndaj zyrtarëve serbë për krimet kundër shqiptarëve të Kosovës. Sipas Ackeret, kjo ka ushqyer te një pjesë e kosovarëve edhe ndjenjën se Perëndimi i ka zhgënjyer, pavarësisht rolit vendimtar që vendet perëndimore patën gjatë luftës dhe në procesin e shtetformimit të Kosovës.
Autori thekson, megjithatë, se vendet perëndimore ndoqën edhe objektivin që përgjegjësia penale për krimet e luftës të kërkohej nga të gjitha palët.
Nga raporti i Dick Marty-t te Gjykata Speciale
Përpjekjet e mëparshme për të ndjekur penalisht pjesëtarë të UÇK-së kishin hasur në vështirësi për shkak të mungesës së provave. Një pikë kthese erdhi në vitin 2010 me raportin e ish-anëtarit zviceran të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Raporti ngriti, ndër të tjera, pretendime për trafik organesh nga persona të lidhur me UÇK-në. Më pas, hetuesi amerikan Clint Williamson, i angazhuar nga Bashkimi Evropian, vlerësoi se kishte elemente të mjaftueshme për të justifikuar hetime penale.
Megjithatë, akuza për trafik organesh nuk u përfshi në aktakuzën mbi të cilën u zhvillua procesi ndaj Thaçit, Krasniqit, Selimit dhe Veselit. Thaçi e ka përshkruar më vonë këtë si një mashtrim, duke argumentuar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kishin pranuar krijimin e gjykatës edhe për t’u përballur me këto akuza të rënda.
Dhomat e Specializuara u vendosën në Hagë, ndër të tjera për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve. Ato funksionojnë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, por janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe zbatojnë kuadrin ligjor të përcaktuar për këtë institucion.
Debati për bazën juridike dhe provat
Në analizën e tij, Ackeret ndalet edhe te konceptet juridike që kanë luajtur rol në çështje, përfshirë ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe përgjegjësinë e eprorit. Mbrojtja kishte kundërshtuar që në fillim përdorimin e disa normave të së drejtës zakonore ndërkombëtare.
Gjykata nuk i pranoi këto kundërshtime. Prokurorët dhe gjyqtarët u mbështetën në dëshmi dhe dokumente për të argumentuar se kundërshtarë të caktuar të UÇK-së etiketoheshin si “tradhtarë”, “spiunë” ose “bashkëpunëtorë” dhe se ndaj tyre u përdorën ndalimi, marrja në pyetje dhe dhuna.
Në përcaktimin e përgjegjësisë individuale, gjykata mori parasysh rolet drejtuese të katër të akuzuarve, dëshmitë për praninë e tyre në vende të lidhura me krimet dhe prova të tjera mbi njohuritë që ata kishin për trajtimin e personave të ndaluar.
Procesi u ndërlikua edhe nga çështja e dëshmitarëve. Sipas artikullit, sigurimi i dëshmive ka qenë i vështirë për shkak të frikësimit dhe presionit ndaj personave që mund të dëshmonin. Shumë dëshmitarë dhanë dëshmi me masa mbrojtëse, çka nga ana tjetër ka ushqyer dyshime ndaj procesit në një pjesë të opinionit kosovar.

Çështja e proporcionalitetit
Në artikullin e medias zvicerane argumentohet se shkeljet e së drejtës humanitare ndërkombëtare nga pjesëtarë të UÇK-së janë dokumentuar gjatë procesit. Sipas autorit, fakti që shqiptarët e Kosovës iu kundërvunë politikës represive serbe nuk mund të justifikojë krimet ndaj civilëve.
Megjithatë, autori vlerëson se mbetet legjitime pyetja nëse dënimet janë proporcionale.
Ai sjell në vëmendje rastet e zyrtarëve serbë të dënuar nga Tribunali për ish-Jugosllavinë për krimet në Kosovë. Disa prej tyre morën dënime të gjata me burg për veprime që përfshinin edhe dëbimin masiv të qindra mijëra civilëve. Slobodan Millosheviçi, ndërkohë, vdiq në vitin 2006 përpara se gjykata të jepte një vendim përfundimtar ndaj tij.
Pikërisht krahasimi mes shkallës së krimeve dhe masës së dënimeve është, sipas analizës së NZZ-së, një nga çështjet që meriton vëmendje më të madhe sesa kundërshtimi i përgjithshëm i legjitimitetit të procesit.
Përballja me krimet nuk ndryshon historinë e luftës
Në artikull argumentohet se kërkimi i drejtësisë për viktimat nuk nënkupton rishkrimin e historisë së konfliktit në Kosovë.
Për shoqërinë kosovare është veçanërisht e vështirë të pranojë se persona nga pala që ishte viktimë e represionit dhe agresionit mund të kenë kryer gjithashtu krime të rënda.
Autori pranon gjithashtu se kritika për praninë e “gjyqtarëve të huaj” ka një bazë faktike, por e lidh krijimin e kësaj strukture ndërkombëtare me problemet e brendshme që për vite me radhë e vështirësuan hetimin dhe gjykimin e rasteve të tilla në Kosovë.
Sipas analizës së NZZ-së, përballja me përgjegjësinë e secilës palë nuk e ndryshon faktin se shqiptarët e Kosovës u përballën me represionin e forcave serbe. Ackeret e sheh normalizimin politik të çështjes së Kosovës me Serbinë si një kusht të rëndësishëm që shoqëria kosovare të mund të trajtojë më hapur edhe dështimet dhe krimet e kryera nga pjesëtarë të palës së saj. /Përshtati Pamfleti nga NZZ/

