Lajme

Zgjedhjet lokale, partitë përplasen mes tyre

Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi LSDM-në se mbron interesat bullgare dhe ndihmon BDI-në në zgjedhjet lokale. Ai, nga takimet me qytetarët në Kërçovë, tha se qëllimi i dy ish partnerëve të koalicionit qeveritar është të shpëtojnë bizneset që kanë bërë bashkë si qeveri.

“Përball nesh në anën e kundërt kemi opozitë që vuan nga sëmundja e mungesës së idesë, opozitë që nuk mori asnjë leksion se përse është aty ku është dhe në këtë situatë janë aq të dobët sa në këtë moment, LSDM-ja e dikurshme e madhe është shndërruar në një përfaqësues të interesave bullgare dhe të jetë, për fat të keq, dora e tyre e zgjatur. E dyta gjë karakteristike për LSDM-në është që në këto zgjedhje nuk garojnë me atë se çfarë koncepti do të ofrojnë por punojnë që BDI-ja, me çdo çmim të ketë rezultat të mirë dhe ta shpëtojnë karrierën politike të politikanëve të BDI-së, mes tyre, edhe të Ali Ahmetit”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër .

Mickoski thotë se opozita, duke mos pasur ide dhe koncept, keqpërdor tragjeditë dhe nxit ndarje e urrejtje.

“Shikoni se kush më zëshëm në Maqedoni flet për ndryshimet kushtetuese, kujt i shërbejnë shërbyesit e atyre propagandave, para së gjithash, teksteve të rreme ku numërohen pasaporta të shpikura të politikanëve maqedonas. Pa u përmbajtur del kryetari i LSDM-së dhe thotë se pa kushte do ta ndryshonte Kushtetutën dhe do t’i fuste bullgarët në Kushtetutë. Tani e kam të qartë se përse e refuzuan secilën dorë të zgjatur nga ana ime për bashkim shtetëror për çështjet nacionale. Sepse në LSDM politikanët janë me sustë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër .

LSDM-ja ka reaguar ndaj akuzave të kryeministrit. I quajnë qesharake kurse akuzojnë Mickoskin se tani ai i shërben VLEN-it.

“Mickoski është qesharak kur akuzon LSDM-në se i shërben BDI-së, duke u përpjekur të mbulojë turpin e vet në këtë mënyrë. Mickoski, i cili si opozitë pretendonte se kur të vijë në pushtet do të pastronte krimet e BDI-së, gjëja e parë që bëri ishte të linte Artan Grubin të ikte. Në një vit pushtet, asnjë zyrtar i BDI-së nuk është prekur. Në të njëjtën kohë, Mickoski hesht për krimet e partnerit të tij aktual Izet Mexhiti, një krim me vlerë 225 milionë euro. Ai hesht dhe e mbron atë për ndërtesat pa leje në Çair, hesht për abuzimet e Gashit, hesht për skandalet në kufirin e Kosovës, ku terroristë, të kërkuar me urdhër arresti, kalonin lirshëm”, thonë nga LSDM./Alsat.mk

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png