U votua me 81 “për” gjobat që vijnë nga “Safe City” apo ndryshe njohur në popull si “Big Brother”pasi ngjajshëm si tek shou tani popullata do të vëzhgohet 24orë nga “Vëllau i madh”.
VMRO-VLEN-ZNAM, Levica dhe deputeti i pavarur tashmë, Ilir Demiri kanë votuar që nga 1 shkurti të hyjnë në fuqi kamerat e vendosura vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, shkruan gazeta KOHA. Paraprakisht, ishte koordinatori i Grupit parlamentar të Levicës, Boris Kërmov, ai i cili tha që në fillim të seancës se Levica mbështet Ligjin, ndërsa tha se kjo bëhet për sigurinë e qytetarëve.
“Gjashtë deputetët e Levicës do të votojnë për ndryshimet e Ligjit për kundërvajtje, konkretisht për “Safe City” në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë”, tha Kërmovi. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari u shpreh kundër “Safe Cityt”, ashtu sikurse edhe Rijad Shaqiri dhe Ilire Dauti. Pasi ndryshimet e Ligjit u votuan me 81 vota, deputetja e BDI-së, Rina Jadari kërkoi votim veçmas dhe të hapur, ndërkohë që sërish dolën 81 vota “për”.
Deputetët e ASH-së së Taravarit paralajmërojnë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, kundër sistemit “Safe City”. Deputeti Rijad Shaqiri në intervistë për Alsat tha se ndryshimet në ligjin për kundërvajtje janë në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës.
“Do të shtrojmë kërkesë në kuadër të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e këtij ligji pasi është në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës. Ligjet duhet të sillen në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, tha Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.
Shaqiri tha se ASH-ja e Taravarit është kundër idesë së kreut të BDI-së Ahmeti për një njësi zgjedhor me prag prej 5%. Ai tha se për ASH-në modeli i pranuar do të ishte me tetë njësi zgjedhore.
