Thonë se gjatë fushatës parazgjedhore, VMRO-DPMNE nuk merret me vetveten por është angazhuar që votuesit e saj në Tetovë, Gostivar, Çair…, të votojnë për kandidatët e VLEN’it. Dhe këtë pa ndalë ua rikujton ‘sektashëve’ të VLEN’it jo vetëm që t’i shantazhojë, por edhe që të mos harrojnë se fati i tyre politik është në duart e klsaj partie maqedonase.
Dhe VLENI i nevojitet VMRO-DPMNE’së më shumë se sa cila do degë e saj, sepse vetëm nëpërmjet kësaj trinie, ajo mund t’i provokojë shqiptarët e këtushëm, duke u dëshmuar atyre se Kryeministri akual e jo ata, e përcakton legjitimitetin e përfaqësuesve shqiptarë.
Si dhe që t’u dëshmojë maqedonasve se me mjete paqësore dhe me ndihmën e VLEN’it. qeveria e sotme është duke e fituar pjesën e dytë të konfliktit të 2001. Pra t’u dëshmojë maqedonasve etnik se ua ka kthyer Maqedoninë që ua kishin grabitur shqiptarët dhe se do ua merr atyre gjithë atë tepri që u është dhënë me Marrëveshjen e Ohrit!?
Shkurt e shqip, duke mos pasur asnjë planë për të ardhmen e Maqedonisë, duke qenë se çdo gjë shkon temas, kësaj qeverie i nevojitet diçka që do mund t’i mbulojë dështimet e saj. E marrëdhëniet e acaruara ndëretnike gjithmonë kanë qenë dhe janë jorgan i ngrohtë që i mbulon dështakët politikë.
Ndërkohë duket se VMRO_DPMNE e ka kuptuar se për ta mbuluar fytyrën e saj dështake nuk do i mjaftojnë vetëm fajtorët kujdestarë – shqiptarët, por se do i nevojitet edhe zbukurimi ‘multietnik’. Andaj bëhet gati të nisë një përndjekje të egër ndaj gjithë ish pushtetarëve maqedonas të LSDM’së, e të cilët, sipas qeveritarëve të sotëm, ua dhanë Maqedoninë shqiptarëve dhe u dorëzuan përpara kërkesave bullgare.
Dhe ngaqë Maqedonia e Veriut gjithnjë e më shumë bëhet Kazablanka e Ballkanit, shumë spekulime, informata e dezinformata, arrijnë edhe deri te ne që zgjohemi vonë e ndaj të cilave, artikullshkruesi sillet ashtu që më të pabesueshme i merr ato që tingëllojnë si të vërteta e të vërteta ato që duken më gënjeshtare.
Andaj nuk i janë larg të së vërtetës spekulimet se kanë nisur bisedimet e VMRO-DPMNE’së me një biznesmen të njohur maqedonas, edhe atë me kërkesë të këtij të fundit, e që ka të bëjë me krijimin e gjitha kushteve që të përfundojë në burg ish Kryeministri i parafundit i Maqedonisë dhe shokët e tij,
Thuhet pra se VMRO-DPMNE’ja ka nisur ta prodhojë ‘mijallkovin’ e saj në fytyrën e një të afërmi të Kryeministrit aktual, e i cili nga ky biznesmen dhe financues i madh i VMRO-DPMNE’së e ka marr dhe e ka pranuar ofertën që ai të paguan aq milion euro sa ditë ka kaluar në burg vetëm nëse kjo qeveri do ua vë prangat atyre që sipas tij e kanë burgosur atë.
Pra vetëm nëse i burgosë ata që duhet emëruar si burrështetasit që e ‘shitën’ Maqedoninë, e me çka populli do ketë me çka të zbavitet e të harrojë se këta qeveritarë sillen si të ishin drejtues cirku e jo drejtues shtetit.
Ndërkohë thuhet se të deleguar të qeverisë aktuale kanë kontaktuar edhe me Grubin, të cilit nuk i është premtuar vetëm ‘shpëlarje’ e gjitha mëkateve, por edhe përfitime të mëdha, por vetëm nëse do ndihmojë të diskreditohen familjarët e drejtuesve të BDI’së?!
Kuptohet, për të gjitha këto veprimtari të veta shtetëformuese, VMRO-PMNE’ja as që i informon vasalët e VLEN’it, ngaqë ata nuk janë aty për ta ditur se çka bisedohet nëpër kafenetë ku përcaktohet e ardhmja e shtetit, si për shembull në kafenenë ‘Savlatore” në Vodno?!
								
							
						
								
														
							
								
														
							
								
														
							

