Lajme

(VIDEO) Gjuha e urrejtes ndaj shqiptarëve, ende nuk janë kapur tifozët që kërkuan “vdekjen e shqiptarëve”

Edhe pse kanë kaluar dy javë e tepër, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka identifikuar anëtarët e tifo-grupit “Çkembari” që në një ndeshje futbolli mes Pelisterit dhe Shkupit kërkuan Maqedoni të pastër dhe vdekje të shqiptarëve. Nga MPB-ja thonë se për rastin e ndodhur më 25 gusht për të cilën ka edhe video-pamje ende nuk ka asnjë person të arrestuar.

Duke u përgjigjur në pyetjet e TV Shenja nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se tifozët e Pelisterit në atë ndeshje kanë bërë shkelje të nenit 3, paragrafi 1, pika 3 të Ligjit për Parandalimin e Sjelljeve Dhunshme dhe të Papranueshme.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Sektori për Punë të Brendshme Kavadar ka dorëzuar kërkesë për lëshimin e një Urdhëri nga Prokuroria Publike për marrjen e pamjeve video nga ndeshja e futbollit, dhe pas marrjes së pamjeve video do të bëhet identifikimi i anëtarëve të grupit të tifozëve, ‘Çkembari’. Kundër organizatorit të ndeshjes, pas dokumentimit të të gjithë ngjarjes, do të ngrihet kallëzim për shkelje sipas Ligjit për Parandalimin e Sjelljeve Dhunshme dhe të Papranueshme në Ngjarjet Sportive”.

Nga MPB-ja njoftojnë se veprojnë në vazhdimsi në mënyrë represive për të parandaluar dukuri të tilla devijante, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht apelon tek të gjithë qytetarët dhe anëtarët e grupeve të tifozëve që të mbështesin klubet e tyre sportive, por të inkurajojnë në mënyrë sportive, ekskluzivisht në frymën e sportit, pa përhapur fjalor urrejtjeje, pa ofenduar individë për përkatësinë e tyre personale, etnike, fetare ose për çdo përkatësi tjetër që nuk përkon me natyrën e ngjarjeve sportive dhe është në kundërshtim me ligjin”.

Kjo nuk është hera e parë që tifozët maqedonas kërkojnë vdekjen e shqiptarëve përmes koreve në shkallët e stadiumit. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në Kumanovë, në ndeshje basketbolli në sy të kryeministri Mickoski, ministrit Toshkovski dhe zyrtarëve të tjerë të Qeverisë.

Mevludin Imeri /SHENJA/

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif