Lajme

Vazhdojnë protestat e infermiereve në Tetovë

Nga drejtoria e Spitalit Klinik të Tetovës janë shprehur të gatshëm që të takojnë përfaqësues të infermierëve që të përpilojnë bashkërisht kërkesat e tyre

Urim HASIPI

Tetovë, 3 qershor – Vazhdon nëpërkëmbja e kërkesave të infermierëve dhe personelit teknik në Spitalin Klinik të Tetovës. Edhe paraditen e ditës së martë ata dolën në protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre sepse përveçse nuk u janë vazhduar kontratat e punës, ata janë edhe pa rroga. Ndonëse janë rreth 140 infermeriere të cilat nuk kanë të zgjidhur statusin e tyre, në protestë dalin rreth 50. Sipas tyre, ka edhe kërcënime të ndryshme që të mos dilet në protestë.

“Përgjigje nuk kemi ende, presim, prandaj përsëri kemi dalë në protesta. Presim ndonjë të re, por e shohim se nuk ka asgjë. Vendin e punës nuk e lëmë, por as protestat nuk i ndalim. Do të vazhdojmë me protesta derisa të kemi një përgjigje. Të paktën ta dimë se nga të shkojmë. Do e bëjmë edhe atë shkresën që e kërkonte kryeinfermierja. Nuk përjashtojmë mundësinë që të bojkotojmë punën, të protestojmë para Ministrisë së Shëndetësisë” thotë një infermiere. Infermierët janë të shqetësuara për fatin e tyre. Kërkojnë që t`ju jepet përgjigje se si do të veprohet, pasi që në mënyrë indirekte u kanë thënë se edhe mund të zëvendësohen.

“Nëse ne mund të zëvendësohemi, duhet në kohë të na thonë se nuk do të merrni asgjë. Por nuk mund të pajtohemi me këtë se na mbajnë këtu dhe na thonë jeni të zëvendësueshëm. Ne na thonë se nuk do të ketë vendime, nuk do të ketë kontrata, nuk do të ketë zgjidhje. Unë do ta lëshoj punën sepse kam familje, vijë në punë dhe nuk kam rrogë”, thotë një infermiere tjetër.

Nga drejtoria e Spitalit Klinik të Tetovës janë shprehur të gatshëm që të takojnë përfaqësues të infermierëve që të përpilojnë bashkërisht kërkesat e tyre.

“Nuk është një gjë që varet nga ne, është një situatë në tërë vendin dhe presim që të ketë një zgjidhje të përhershme, jo afatshkurtër. Le ta formojnë një grup pune, le t`i parashtrojnë kërkesat, le t`i dorëzojnë edhe në drejtori edhe në ministri. Ne sërish do t`i përcjellim këto kërkesa, por sa do të merren parasysh, kjo nuk varet nga ne”, thotë Dita Zaimi, kryeinfermiere në Spitalin Klinik të Tetovës.

Në fund, infemieret kishin edhe një porosi. “Motoja e ditës për sot është, Le të na mbajnë që të mos na qajnë”, apeloi një infermiere tjetër. Nga Spitali Klinik i Tetovës kanë hedhur poshtë se ka kërcënime ndaj protestuesve që të mos dalin në protestë. Këto infermiere, edhe përskaj të gjitha nëpërkëmbjeve, vazhdojnë të punojnë me vite të tëra duke ofruar ndihmë pacientëve, por vet nuk e kanë të rregulluar statusin e tyre. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png