Lajme

Vajza e Komandant Strugës i reagon Adnan Azizit: “Mos e përmend babain tim për kauza politike – është e turpshme”

Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës – Nuri Mazarit, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Adnan Azizit, i cili sonte në Konventën e VLEN-it, tha se Ali Ahmeti qëndron pas vrasjes së Komandant Strugës.

Në një reagim të gjatë dhe emocional, vajza e Komandant Strugës shkroi se deklarata e deputetit Azizi, njëherësh shef Shtabi i VLEN-it, është një padrejtësi e dyfishtë: ndaj kujtimit të babait të saj dhe ndaj familjes së saj, që prej dy dekadash jeton me këtë plagë të hapur.

“Për nderin e babit tim dhe padrejtësinë që vazhdon. Me keqardhje të thellë ndjej detyrimin moral dhe njerëzor që të reagoj publikisht për një çështje që për familjen time është plagë e hapur prej dy dekadash. Më vjen keq që jam e detyruar ta ndaj me qytetarët një moment kaq personal – videon e vetme që kam me babanë tim – vetëm për të bërë një deklaratë që nuk duhej të kishte nevojë për dëshmi të dhimbjes sonë”.

Shqipdona Mazari i kujtoi opinionit se tashmë më 11 korrik 2025 ka deklaruar hapur: “E dimë kush e vrau Nuriun në vitin 2005, por për 20 vite me radhë ai është vrarë çdo ditë nga institucionet: nga policia, prokuroria dhe gjykatat. Kjo padrejtësi e zgjatur është krim më vete”.

Në reagimin e saj, ajo theksoi se Ali Ahmeti dhe babai i saj kanë qenë bashkëthemelues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

“Ali Ahmeti dhe Komandant Struga – Nuri Mazari, babai im – ishin bashkëthemelues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Babai im, Komandant Struga, dhe Ali Ahmeti bënë realitet fitimin e Komunës së Strugës, që sot të ketë mundësi çdo parti shqiptare të garojë në zgjedhje si e barabartë dhe kryetari i Komunës të jetë nga radhët e përkatësisë etnike shqiptare. Është abuzim i rëndë me kujtimin e babait tim”.

Shqipdona Mazari e quajti deklaratën e Adnan Azizit jo vetëm të pavërtetë, por edhe një abuzim të rëndë me dhimbjen e familjes së saj.

“Sot ndjej nevojën të jem edhe më e qartë: personi që u përmend në atë fushatë publike, ku morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, nuk është vrasësi i babait tim. Nuk është vetëm padrejtësi ndaj tij, por është edhe një abuzim i rëndë me kujtimin e babait tim dhe me vuajtjen e familjes sonë”.

Ajo iu drejtua drejtpërdrejt Azizit: “Zotëri Adnan Azizi, me çfarë të drejte e përdorët këtë emër të shenjtë për kauza të momentit politik? A nuk e dini se idealet nuk janë mall tregu? Se gjaku dhe sakrifica nuk janë slogan elektoral?”

Në fund, Mazari bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të emrit të babait të saj për qëllime politike, duke e cilësuar këtë veprim si të padenjë dhe të turpshëm.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që e përmendin emrin e tij për qëllime politike, personale apo propagandistike, që të ndalojnë menjëherë. Mos e përdorni Nuriun – as jetën e tij, as vdekjen e tij për përfitime apo qëllime të ulëta. Është e padenjë. Është e turpshme. Kujtimi i babait tim meriton drejtësi, jo përdhosje”.

Shqipdona Mazari e mbylli reagimin e saj me një thirrje për unitet mes shqiptarëve: “Mos u zini mes vete, shqiptarë. Mos e bëni dhimbjen armë. Bashkohuni, sepse kur jeni bashkë, jeni më të fortë, më të pathyeshëm, më të respektuar. Kjo është rruga e vetme përpara: rruga e besës, e unitetit dhe e forcës kombëtare”.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif