Lajme

UT me aktivitete të shumta e shënoi 249-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve

Me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Tetovë, e organizoi Turneun e Beach Volleyt, një aktivitet sportiv me karakter ndërkombëtar.

Turneu mblodhi ekipe dhe sportistë nga vendi dhe rajoni, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bullgarinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët krijuan atmosferë festive dhe dinamike në këtë garë.

Nëpërmjet këtij aktiviteti, u promovuan vlerat universale të sportit, siç janë respekti, miqësia, bashkëpunimi dhe liria, që përkojnë me frymën e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Turneu u shpall i hapur me një fjalë përshëndetëse nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili theksoi rolin e sportit si urë lidhëse mes popujve dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndërtimin e miqësive të përhershme.

Pas disa ndeshjesh emocionuese, trofetë u ndanë për tre ekipet më të mira, si: vendi I për ekipin nga Republika e Kosovës, i cili në finale e mposhti ekipin nga Republika e Serbisë me rezultat 2:0 në sete, vendi II për ekipin nga Serbia, ndërkaq vendi III i takoi ekipit nga Republika e Bullgarisë, i cili triumfoi 2:1 ndaj ekipit të Universitetit të Tetovës. Në këtë ngjarje sportive, fituesve, referëve dhe delegatëve iu ndanë çmime dhe mirënjohje për kontributin dhe korrektësinë e treguar gjatë garës.

Në përmbyllje të aktivitetit, dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Shpresa Memishi, i falënderoi të gjitha ekipet pjesëmarrëse për shpirtin sportiv dhe respektin e ndërsjellë që shfaqën gjatë turneut. Ajo theksoi se qëllimi i këtij aktiviteti ishte që, nëpërmjet sportit, të urojmë popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë dhe të përcjellim mesazhin se festa, sporti dhe miqësia janë ura që na bashkojnë.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png