Shkup – Në raftet e supermarketeve, produktet që dikur kishin peshë dhe çmim të arsyeshëm, sot janë më të lehta, por më të shtrenjta. Fenomeni i njohur si “inflacion i fshehur”, ose “shrinkflation”, ka kohë që ka hyrë në tregun evropian, ndërsa tashmë është bërë realitet i përditshëm edhe për blerësit vendas. Konsumatorët janë gjithnjë e më të vetëdijshëm se produktet që blejnë nuk janë më ato që dukeshin dikur, megjithëse paketimi dhe reklamat janë të njëjta.
Shembulli i fundit nga Gjermania ndezi debat të gjerë publik, pasi qytetarët zbuluan se një çokollatë e njohur kishte humbur 10 gramë nga pesha e mëparshme prej 100 gramësh, ndërsa çmimi ishte rritur dukshëm nga 1.49 në 1.99 euro. Ky ndryshim i heshtur u cilësua si manipulim dhe mashtrim i hapur ndaj konsumatorëve.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas Organizatës së Konsumatorëve (OKM), ky fenomen është i pranishëm që nga viti 2008, kur pasojat e krizës ekonomike ndikuan në mënyrën se si paketoheshin dhe çmoheshin produktet.
Reduktimi i peshës apo vëllimit nuk është më përjashtim, por rregull i heshtur që nuk prek vetëm ëmbëlsirat. Pashtetat, patatet e skuqura, arrat dhe shumë produkte të tjera ushqimore kanë pësuar të njëjtin fat. Ndryshimet janë bërë edhe në produktet bazë, si vaji i ullirit, ku shishja standarde prej një litri është zëvendësuar me një version prej 750 mililitrash. Kosi, që vjen në paketim prej gjysmë kilogrami, perceptohet si ofertë, kur në fakt është reduktim i standardit të mëparshëm. Konsumi po ndikohet drejtpërdrejt nga këto ndryshime. Qytetarët shprehin indinjatë dhe zhgënjim përballë këtij realiteti.
Organizata e Konsumatorëve vëren se kjo është një praktikë e padrejtë, por ligjërisht e lejuar. Prodhuesit nuk janë të detyruar të informojnë për ndryshimet në peshë apo përmbajtje, dhe shpesh ata nuk e ndryshojnë paketimin me qëllim që konsumatori të mos e vërejë menjëherë diferencën.
Leximi i kujdesshëm i deklaratave në etiketë dhe krahasimi i çmimeve për njësi matëse janë ndër hapat e parë për të mos rënë pre e kësaj taktike të heshtur tregtare.
Ndërkohë që prodhuesit e përdorin këtë metodë si zgjidhje për të shmangur rritjen e drejtpërdrejtë të çmimit, konsumatorët përballen me pasoja të drejtpërdrejta financiare, duke marrë më pak për më shumë para.
Derisa të ketë ndërhyrje ligjore ose presion të organizuar konsumatorësh, kjo praktikë pritet të vazhdojë të zgjerohet në mënyrë të padukshme, por gjithnjë e më e ndjeshme për xhepin e qytetarëve. (koha.mk)