”Ura me tri harqe” është kthyer tashmë në një platformë kombëtare për studentët dhe pedagogët e tre universiteteve publike shqiptare, Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Arteve të Tiranës dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës për të prezantuar një pjesë të përzgjedhur të krijimtarisë së tyre artistike të këtij viti akademik dhe për të shkëmbyer përvojat e tyre artistike dhe akademike të këtij rrugëtimi.
Në përmbyllje të këtij manifestimi të pasur kulturor, i cili këtë vit u mbajt në ambientet e Universitetit të Tetovës, me një agjendë të ngjeshur dy ditore që përfshiu nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Arteve të Tiranës, ekspozitën e arteve pamore, koncertin muzikor, shfaqjet teatrale dhe filmat e metrazhit të shkurtër, ndajmë një ndjesi të thellë mirënjohjeje, frymëzimi dhe bashkëpunimi për të krijuar, ndarë dhe përjetuar bukurinë që sjell arti në jetët tona.
Kalendari i aktiviteteve të këtij manifestimi filloi me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Arteve në Tiranë. Në ceremoninë e nënshkrimit, morën pjesë: Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektor për Shkencë, Prof. Dr. Salajdin Salihi, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftjari, Prorektore për Financa, Prof. Ord. Senad Abduli, Dekan i Fakultetit të Arteve, Doc. Dr. Hatibe Deari – Zeqiri, Përgjegjëse e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar , Prof. Dr. Arian Paço, Zëvendësrektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Arteve, Tiranë dhe Prof. Ord. Agron Bytyqi nga Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Më pas, vijoi ceremonia e hapjes me fjalën e prodekanes për shkencë të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Prof. Ord. Nora Halimi, njëherit edhe përgjegjësja e mbarëvajtjes së aktiviteteve të këtij manifestimi e cila pasi përshëndeti të pranishmit, theksoi rëndësinë e këtij projekti i cili jo vetëm që promovon bashkëpunimin ndëruniversitar, por gjithashtu forcon lidhjet kulturore dhe identitare mes shqiptarëve në rajon, duke u dhënë mundësi brezave të rinj të shprehin talentin e tyre, të njohin njëri – tjetrin dhe të kontribuojnë në zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare.
Duke qenë se manifestimi zhvillohet çdo vit në formë rotacioni midis Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës dhe sivjet nikoqir ishte Fakulteti i Arteve të Universitetit të Tetovës, prodekania ftoi fillimisht dekanin e këtij fakulteti Prof. Ord.Senad Abduli për një fjalë përshëndetëse.
Dekani shprehu kënaqësinë që Universiteti i Tetovës është nikoqir i edicionit të XV të këtij manifestimi tradicional që është kthyer në një simbol të qëndrueshëm të bashkimit tonë kulturor dhe akademik. Ai theksoi se sot, përmes artit, ne ndërtojmë ura që lidhin jo vetëm qytete dhe institucione por edhe zemrat e të rinjve që besojnë në fuqinë e krijimtarisë dhe kulturës sonë të përbashkët.
Fjala përshëndetëse e radhës ishte nga prorektori i Universitetit të Arteve në Tiranë, Prof. Arian Paço dhe Prof. Agron Bytyqi nga Fakulteti i Arteve të Universitetit të Prishtinës i cili lexoi fjalimin e dekanit të këtij fakulteti, Prof. Hazir Hazirit.
Të dy përfaqësuesit e institucioneve përkatëse vlerësuan se kufijtë kombëtarë dhe ndërkombëtarë tejkalohen vetëm përmes dialogut kulturor dhe shprehjes së lirë artistike.
Sipari i këtij manifestimi u hap me ekspozitën e arteve pamore e cila na vendosi përballë vizioneve unike artistike, duke na ftuar të shohim botën përmes syve të krijuesve. Më pas publiku i pranishëm shijoi koncertin me interpretime muzikore nga studentet e të tre institucioneve dhe dita e parë u përmbyll me shfaqjen teatrore të studentëve të programit studimor Arte Dramatike dhe Audiovizuele të Universitetit të Tetovës.
Dita e dytë e këtij manifestimi filloi me shfaqjen e filmave të metrazhit të shkurtër nga studentet e të tre universiteteve, vijoi me shfaqjen teatrore të studentëve të Fakultetit të Artit Skenik të Universitetit të Arteve të Tiranës dhe u mbyll me prezantimin e profesorit dhe piktorit të mirënjohur Gazmend Leka nga Universiteti i Arteve në Tiranë me temë: Baladat dhe legjendat shqiptare “Përqasjet me mendimin mitik të popujve të tjerë” në ambientet e Europe House në Tetovë. Ky manifestim dëshmoi edhe një herë se arti dhe kultura janë ura që lidhin njerëzit, ura që promovojmë artin dhe kulturën në të gjitha format e tyre.




