Universiteti i Tetovës, sot ka nënshkruar memorandumi bashkëpunimi me Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip. Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Dejan Mirakovski.
Memorandumi ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë përmes realizimit të projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore, shkëmbimin e stafit akademik dhe hulumtues, shkëmbimin e studentëve, organizimin e seminareve, konferencave dhe punëtorive të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e botimeve shkencore.
Në deklaratën për media, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, vlerësoi lart këtë nismë dhe theksoi se ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në vend.
“Nëpërmjet këtij memorandumi, urojmë që bashkëpunimi mes universiteteve tona të zgjerohet edhe më shumë, përfshirë shfrytëzimin e laboratorëve shkencorë, bashkëpunimin e sindikatave të të punësuarve, si dhe bashkëpunimin mes parlamenteve studentore”, theksoi Rektori i UT-së.
Ky memorandum pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e partneriteteve ndëruniversitare.