Lajme

Uashingtoni ‘zbërthen’ Ballkanin: Liderë të korruptuar, demokraci e brishtë dhe propagandë ruse!

Në dokumentin e Pentagonit, Ballkani del rajon i rrezikuar nga autokratët dhe paratë ruse

Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka përfshirë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, në një kapitull të veçantë të projektligjit të Autorizimeve për Mbrojtjen Kombëtare (NDAA), duke e cilësuar rajonin si një zonë thelbësore për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Evropë.

Në dokumentin e siguruar nga Senati amerikan, Kongresi shprehet se bashkëpunimi me gjashtë shtetet e rajonit – Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën – është në interes të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Draft-ligji thekson se pavarësisht progresit ekonomik dhe përpjekjeve për integrim në Bashkimin Evropian, Ballkani mbetet një zonë e ndjeshme, e ekspozuar ndaj korrupsionit të nivelit të lartë, dezinformimit të sponsorizuar nga aktorë të huaj, dobësive në infrastrukturën kibernetike dhe varësisë nga burimet energjetike ruse. Kongresi i SHBA e konsideron luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e qeverisjes demokratike si kusht themelor për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit dhe si pjesë të përpjekjeve për ta shkëputur Ballkanin nga ndikimi i Moskës dhe Pekinit.

Në dokument theksohet gjithashtu rreziku në rritje nga ndërhyrjet ruse dhe ndikimi kinez, veçanërisht përmes varësisë energjetike dhe investimeve strategjike në infrastrukturë, që sipas Kongresit mund të ndikojnë negativisht në konkurrencën demokratike dhe integrimin evropian të rajonit. Shtetet e Bashkuara shprehin mbështetje për nismat rajonale si Procesi i Berlinit apo Tregu i Përbashkët Rajonal, për sa kohë ato zbatojnë standarde të larta transparence dhe përfshirjeje.

Shqetësim i veçantë ngrihet për situatën në Serbi, ku zgjedhjet parlamentare dhe lokale të dhjetorit 2023 janë cilësuar problematike nga OSBE, me shkelje serioze të procesit zgjedhor dhe përpjekje për të kriminalizuar protestat e opozitës dhe zërat e shoqërisë civile. Kjo situatë, sipas Kongresit, përbën kërcënim për stabilitetin rajonal.

Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për BE, përmendet në këtë dokument si një partner kyç për mbrojtjen kibernetike dhe forcimin e institucioneve demokratike në rajon. Ndihma e SHBA do të fokusohet në forcimin e kapaciteteve të sigurisë, përfshirë përmes bashkëpunimit me Komandën Kibernetike Amerikane dhe programet e posaçme të Departamentit të Shtetit që mbështesin transparencën, llogaridhënien dhe zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës.

Përmes këtij drafti, Uashingtoni sinjalizon një politikë më të qartë dhe të vendosur ndaj Ballkanit, duke e vendosur Shqipërinë dhe fqinjët e saj në qendër të strategjive të reja për konkurrencën gjeopolitike me Rusinë dhe Kinën në Evropën Juglindore. Ligji pritet të miratohet zyrtarisht në Kongres në fillim të vitit 2026.

3sgIgLJ.png