Lajme

“U thashë nuk shërbejmë kafe në këtë orë”, zbardhet dëshmia e kamarierit në Manëz, si ndodhi vrasja mes të rinjve

Në orën rreth 01:45 të mëngjesit të datës 22 tetor 2025, një konflikt për motive banale brenda një lokali pranë një karburanti në Manëz të Durrësit përfundoi tragjikisht me dy të vdekur, Flori Paluçi, 33 vjeç, dhe Arianit Kurti, 23 vjeç.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se Flori Paluçi është vrarë nga Daniel Pepa, 21 vjeç, ndërsa Arianit Kurti dyshohet se është vrarë nga vetë Paluçi, gjatë përplasjes së armatosur.

Sipas dëshmisë së kamarierit, Alteo Pepa, hyrja në lokal e Daniel Pepa së bashku me mikun e tij, i cili kërkoi një kafé, nisi debatin pasi ekspresi ishte i fikur dhe kamarieri refuzoi t’i shërbente. Kur Pepa filloi ta fyejë, ndërhyri Flori Paluçi, klient dhe banor i zonës, duke mbrojtur kamarierin. Pas një përplasjeje verbale, palët dolën jashtë lokalit, ku u dëgjuan të shtëna dhe kanë mbetur të vrarë Paluçi (33 vjeç) e Aranit Kurti (23 vjeç).

Kamarieri i lokalit ka deklaruar para grupit hetimor

“Ishte ora rreth 1:45 në momentin e ngjarjes ishin 5 persona, Daniel Pepa hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe ju thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai më ktheu se dua kafe patjetër dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën por nderhyri Flori Paluçi për tmë mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin. Më pas dëgjova të shtënat mes tyre dhe ndodhi ajo që ndodhi.”

Policia ka shpallur në kërkim Daniel Pepën, 21 vjeç, banues në Manëz, dhe hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png